BSH larg euforisë – Rritja e inflacionit, nga komponentët afatshkurtër
Megjithëse inflacioni po qëndron sipër nivelit 2% prej gjashtë muajsh, Banka e Shqipërisë ende është e rezervuar rreth skenarëve të rimëkëmbjes së plotë të ekonomisë dhe inflacionit.
Raporti i politikës monetare për tremujorin e dytë evidenton se rritja e inflacionit gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018 është ndikuar më së shumti nga komponentë afatshkurtër.
Sipas Bankës së Shqipërisë, pozicioni ciklik i ekonomisë pasqyrohet në vlera ende të ulëta të inflacionit bazë. Ndonëse në përmirësim, aktiviteti ekonomik në vend vijon të mbetet poshtë nivelit potencial, dhe kërkesa agregate vijon të jetë e pamjaftueshme për të siguruar punësim të plotë.
Ky këndvështrim në thelb shpjegon edhe projeksionet e Bankës së Shqipërisë, që e vendosin kthimin e inflacionit pranë objektivit 3% vetëm në vitin 2020.
Kursi i politikës monetare po ndjek pikërisht këto pritje dhe dy muaj më parë Banka e Shqipërisë uli normën bazë në minimumin e ri historik prej 1%.
Në orientimin për tregjet, edhe këtë muaj Këshilli Mbikëqyrës i qëndroi parashikimit se norma bazë e interesit nuk do të rritet para tremujorit të dytë të vitit të ardhshëm.
Këmbëngulja në ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare tregon se Banka e Shqipërisë nuk beson shumë që rritja e inflacionit në tremujorin e dytë do të ketë një vijimësi tjetër të shpejtë në të njëjtin kah. Rimëkëmbja e plotë e ekonomisë, e shoqëruar me një rritje të shëndetshme të çmimeve, do të kërkojë ende kohë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.