BSH miraton shitjet – Societe Generale dhe Banka Malajziane ndërrojnë pronar
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi shitjen e aksioneve të Bankës Societe Generale Albania te grupi hungarez OTP dhe të Bankës Ndërkombëtare Tregtare te Union Bank. Miratimi i Bankës së Shqipërisë i hap rrugë finalizimit të dy transaksioneve, pasi ato ishin autorizuar më herët edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.
Marrëveshja për shitjen e 88.89% të aksioneve Societe Generale te OTP u zyrtarizua shtatorin e kaluar, si pjesë e një procesi më të gjerë, përmes të cilit grupi hungarez po blen shumicën e filialeve të Societe Generale në Europën Lindore. Mbështetur në të dhënat e 9-mujorit 2018, Societe Generale ishte banka e pestë më e madhe në Shqipëri, me 5.7% të aseteve totale të tregut bankar. Në vitet e fundit, banka ka regjistruar performancë pozitive dhe rritje të aktivitetit, por vendimi i grupit francez për shitjen lidhet me një strategji më të gjerë për të dalë nga tregjet rajonale. Sipas informacioneve jozyrtare, vlera e shitjes së aksioneve ishte rreth 32.5 milionë euro.
Nga ana tjetër, blerja e Bankës Ndërkombëtare Tregtare nga Union Bank do të sjellë përqendrim të mëtejshëm në sistemin bankar. Nga bashkimi i tyre, numri i bankave do të ulet në 13. Në fund të shtatorit 2018, Union Bank zotëronte 3.4% të aktiveve të tregut bankar, ndërsa Banka Ndërkombëtare Tregtare mbante 0.7%. Pas blerjes, Union Bank pritet të arrijë në mbi 4% të tregut, duke forcuar pozitat si banka e tetë më e madhe në vend. Marrëveshja e shit-blerjes u arrit në nëntor të vitit të kaluar. Vlera e transaksionit nuk është bërë zyrtarisht publike, megjithatë sipas burimeve nga bankat, Union Bank do të paguajë rreth 9 milionë dollarë amerikanë për 100% të aksioneve.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.