BSH, “OK” shitjes së NBG dhe Veneto – Këshilli Mbikëqyrës miraton edhe kartëmonedhën 10000 Lekë
Në mbledhjen e së enjtes, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi paraprakisht bashkimin me përthithje të Bankës Intesa Sanpaolo Albania me Veneto Banka.
Kjo e fundit zotëron një pjesë modeste të aktiveve të sistemit bankar shqiptar, që llogaritet në rreth 1.8%.
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar edhe blerjen e bankës NBG Albania nga Banka Amerikane e Investimeve, ABI Bank, gjithashtu në formën e bashkimin me përthithje. Shitja e NBG Bank Shqipëri është pjesë e planit të ristrukturimit të grupit bankar grek, që parashikon shitjen e aseteve jashtë Greqisë dhe konsolidimin e aktivitetit bankar në tregun helen.
Në Shqipëri, NBG zotëron rreth 40 miliardë lekë asete, për një pjesë tregu prej rreth 2.8%. Një tjetër vendim i miratuar në mbledhjen e së enjtes ishte edhe vizatimi i tematikës dhe listës së elementeve të sigurisë për kartëmonedhën me prerje prej 10000 Lekësh.
Ndërkohë, sipas dokumentit të shpërndarë për mediat, Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit, veprimtaria e sektorit bankar u paraqit e qëndrueshme, me tregues të mirë të performancës dhe të rezistencës financiare.
Rënia e vlerës së aktiveve në valutë të sektorit bankar për shkak të mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut, ndikoi në tkurrjen e lehtë të vlerës së totalit të aktiveve të sektorit. Zhvillimet ekonomike dhe ecuria e tregjeve financiare mbështetën në tërësi veprimtarinë e sistemit financiar.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.