BSH për sektorin bankar: “Dha një kontribut mjaft pozitiv dhe të dobishëm gjatë krizës”
“Sektori bankar dha një kontribut mjaft pozitiv dhe të dobishëm gjatë krizës, duke vijuar kreditimin dhe duke marrë përsipër të paguajë një pjesë të faturës financiare, nëpërmjet procesit të shtyrjes së kësteve të kredisë dhe nëpërmjet ristrukturimit të saj. Ruajtja e një përqasjeje pro-aktive në kreditim është një parakusht i rëndësishëm për të siguruar mbështetjen e nevojshme financiare për rimëkëmbjen e ekonomisë”-nënvizon Banka e Shqipërisë në raportin vjetor për vitin 2020.
“Tregjet financiare kanë funksionuar normalisht, duke mundësuar një përcjellje të mirë të stimulit monetar në ekonomi. Reagimi në kohë i BSH-së ndihmoi në reduktimin e pasigurive, në kontrollin e primeve të rrezikut të likuiditetit dhe në norma të ulëta interesi. Kushtet e lehtësuara financiare, së bashku me politikat mbështetëse të kreditimit të BSH-së dhe të Qeverisë, kontribuuan në rritjen e financimit të sektorit privat. Zgjerimi i kredisë u mbështet edhe nga ecuria e mirë e depozitave bankare dhe operacionet e injektimit të likuiditetit nga Banka e Shqipërisë.
Aktiviteti kreditues ka shënuar rritje në të gjitha segmentet, por ai ka mbështetur kryesisht bizneset në qëllimet e tyre për investime”-vijon më tej institucioni. Edhe sa i përket normave të interesit, banka e Shqiëprisë nënvizon se ato janë luhatur pranë normës bazë dhe kanë shfaqur luhatshmëri të ulët, në linjë me objektivin operacional të politikës monetare
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.