BSH, për shmangien e pagesave cash – Sejko: Është një nga sfidat tona kryesore mbi të cilën po punojmë
Zëvendësimi i parasë cash me mjete alternative pagese është dicka e pashmangshme, por edhe e nevojshme në botën e sotme. Shqipëria, si një ndër vendet me prezencën më të madhe të parasë fizike në ekonomi, ka një nevojë të lartë për të ndërhyrë në këtë drejtim, duke qenë se sipas vetë vlerësimeve të Bankës së Shqiëprisë, kosto e përdorimit të cash-it në ekonomi ngjitet deri në 1.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në konferencën e fundit për shtyp, guvernatori Sejko, i pyetur nga Tv Scan vuri theksin edhe mbi këtë çështje.
“Lufta kundër parasë cash, përpjekjet kundër parasë cash në ekonomi kanë qenë përpjekje të hershme nga banka qendrore dhe nga autoritetet të tjera ligjzbatuese. Veçanërisht gjatë situatës së pandemisë, përpjekjet për të luftuar paranë cash kanë marrë fokus të veçantë. Banka e Shqipërisë ka miratuar vitin e kaluar një ligj për shërbimin e pagesave i cili ka një sërë masash që lidhen edhe me përfshirjen financiare dhe edukimin financiar. Këto lidhen si me luftën kundër përdorimit të parasë cash, pra futjes së parasë cash në sistemin bankar, por paralelisht shkojnë edhe në funksion të modernizimit të sistemit të pagesave. Pra, nga njëra anë duhet një edukim i mirë financiar dhe një rritje e përfshirjes financiare të popullatës në mënyrë që paraja të depozitohet në banka, sepse jo vetëm që është më e sigurt, por shërben më mirë dhe ka edhe produkte dhe oferta më të mira bankare, që shkojnë edhe në drejtim të zbutjes së pabarazisë dhe shumë avantazhe të tjera. Por nga ana tjetër, kjo arrihet nëpërmjet një modernizimi të sistemit të pagesave. Në këtë kontekst, ne kemi marrë shumë masa, kemi bërë disa lëvizje dhe kemi në plan për të marrë edhe masa të tjera. Gjatë periudhës së pandemisë, heqja e komisioneve ose ndryshimet rregullative duke hequr komisionet e bankave të nivelit të dytë për transfertat elektronike, në mënyrë indirekte kanë patur ndikimin e tyre”, është shprehur Gent Sejko, Guvernator i bankës së Shqipërisë.
Guvernatori ka shpjeguar edhe disa nga hapat e mëtejshëm që pritet të ndërmarrë institucioni në lidhje me këtë fushatë.
“Gjatë këtij viti, po punojmë për të bërë klerimin e pagesave në monedhë të huaj, në euro, brenda vendit, për t’i kryer ato me sistemet e Bankës së Shqipërisë dhe shmangur bankat korrespondente. Kjo do të sillte një rritje të shpejtësisë në kohën e kryerjes së pagesave në valutë të huaj, njëlloj si në lek, por do të sillte edhe një ulje të komisioneve për popullatën. Gjithashtu, në zbatim të ligjit të ri që kemi për shërbimet e pagesave, ne kemi në plan për të bërë disa zhvillime për mobilizimin e sistemit të pagesave, siç do të jetë një platformë unifikuese kombëtare për të gjithë sistemin bankar, për kryerjen e të gjitha pagesave elektronike dhe atyre me kartë. Ky është një zhvillim serioz i cili do të kërkojë kohën e tij, por ne kemi filluar të mendojmë dhe po punojmë për këtë zhvillim. Ndërkohë, edhe ligji i ri i miratuar dhe i përgatitur në bashkëpunim me Bankën Botërore ka krijuar hapësira për të zhvilluar tregun drejt modernizimit të sistemit të pagesave. Pa diskutim që futja e parasë cash në sistemin bankar është një sfidë që shkon edhe në drejtim të formalizimit të ekonomisë, është një nga sfidat tona kryesore për të cilat ne po punojmë.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.