Buffett dyfishon aksionet te Apple, në $17 mld
Warren Buffett, ka dyfishuar aksionet e tij te Apple gjatë dy muajve të parë të këtij viti. Orakulli i Omahas, tashmë zotëron 2.5% të aksioneve të Mollës, për një vlerë prej 17 miliardë dollarësh.
Kjo do të thotë se, aksionet e Buffet te Apple janë aseti i dytë më i madh për miliarderin pas Coca-Colas. Buffett njihet si një investitor që ka një portofol mjaft të diversifikuar.
Ai ka aksione në kompani të ndryshme që përfaqësojnë industri po aq të ndryshme. Gjatë javës së kaluar, u raportua se në harkun e pak muajve, miliarderi bleu aksione për një vlerë prej rreth 10 miliardë dollarësh në 4 kompanitë kryesore ajrore amerikane.
Buffet është aksioner kryesor edhe te gjigandi ushqimor Kraft heinz si dhe në shumë kompani të tjera. Disa ditë më parë ai tërhoqi tërësisht aksionet te rrejti i supermarketeve Wal-Mart. Lëvizjet e Buffett në bursë shihen gjithmonë me interes të madh.
“Apple më pëlqen pasi kanë një produkt mjaft interesant, si dhe mjaft të përdorshëm nga njerëzit”, deklaroi Warren Buffet, i mbiquajtur ndryshe si orakulli i omahas, për shkak të blerjeve të tij të goditura.
Pavarësisht se ka vendosur një pjesë të madhe të portofolit të tij te Molla, ai nuk zotëron një iPhone. I pyetur se cila prej kompanive do të arrinte e para një kapitalizim në treg prej 1 trilionë dollarësh, Buffet deklaroi se, do të vinte bast pikërisht për mollën.
Deklaratat e Buffet nxitën një rritje të aksioneve të Mollës me 0.4% që në orët e para të sesionit të së Hënës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.