Buffett “kontrollon” Apple – Blen aksione të tjera, e deklaron vetë dhe nxit rekord historik në bursë
Aksionet e Apple në bursë prekën nivelin më të lartë historik gjatë së Premtes, menjëherë pasi Berkshire Hathaway e Warren Buffett deklaroi se bleu edhe 75 milionë aksione të tjera te Molla gjatë tre muajve të parë të vitit.
Rritja e kuotave të Buffett te kompania çoi në një rritje të aksioneve të mollës me 4.2% vetëm të Premten, në 184.25 dollarë për aksion, duke bërë që vlera e kompanisë në treg të prekë shifrën e $906 miliardë.
Vetë kompania refuzoi të japë ndonjë koment mbi blerjen më të fundit të “Orakullit të Omahas”. Lëvizjet e Warren Buffet në tregje shihen gjithmonë me interes të lartë, pasi orakulli rrallëherë gabon në blerjet e tij.
Për më tepër ai njihet si një njeri me një portofol investimesh mjaft të diversifikuar. Ka qenë vetë ai që dha lajmin për blerjen, duke deklaruar se aktualisht Apple fiton dy herë më shumë se kompania e dytë amerikane me fitimet më të larta.
Apple bën një përjashtim në filozofinë e Buffett, i cili nuk preferon kompanitë që operojnë në sektorin e teknologjisë, por siç ai vetë e ka cilësuar, Apple është më shumë një kompani mallrash konsumi se sa një kompani teknologjike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.