Buletini i statistikave për tregtinë e jashtme. Ja sa u rritën eksportet dhe importet gjatë 3-mujorit të IV të 2016
Instituti i Statistikave ka publikuar sot buletinin statistikor për 3 mujorin e katërt për vitin 2016. Në këtë dokument jepen statistikat për punëkërkuesit e papunë të regjistruar, statistikat për mbrojtjen sociale, statistikat për lejet e ndërtimit, statistikat e transportit etj.
Në këtë dokument jepen edhe të dhënat për tregtinë e jashtme gjatë tremujorit të katër të vitit 2016, ku sipas INSTAT u eksportuan 66 mld lekë mallra ose 15,5 % më shumë se në të njëjtin tremujor të vitit të kaluar dhe 11,6 % më shumë se tremujori i mëparshëm, si dhe u importuan 155 mld lekë mallra 1,8 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 7,2 % më shumë se tremujori i mëparshëm.
“Përqindja e mbulimit të eksporteve nga importet, është 43,0 %. Gjatë këtij tremujori 39,6 % të eksporteve dhe 14,7 % të importeve i zuri grupi “Tekstile dhe këpucë”. Grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” përfaqëson 24,0 % të importeve, duke u rritur me 12,9 % në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Partnerët kryesorë tregtarë janë Italia dhe Greqia. Italia zë 29,7 % të importeve dhe 51,4 % të eksporteve dhe Greqia, zë 7,7 % të importeve dhe 4,4 % të eksporteve. Me vendet e Bashkimit Evropian është kryer 73,7 % e eksporteve dhe 62,9 % e importeve”, thuhet në Buletinin e INSTAT.
Lloji më i përdorur i transportit të mallrave
Transporti ndërkombëtar i mallrave me rrugë detare është lloji më i përdorur i transportit për import/ eksportin e mallrave. Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2016, 63,8 % e vlerës së mallrave të eksportuara janë transportuar me rrugë detare, 33.1 % e mallrave janë transportuar me rrugë tokësore dhe 3.1 % me rrugë të tjera transporti.
“Ndërkaq, 50,2 % e vlerës së mallrave të importuara, janë transportuar me rrugë detare, 44,5 % e mallrave janë transportuar me rrugë tokësore dhe 5,3 % e mallrave janë transportuar me rrugë të tjera. Grupet kryesore të mallrave që zënë peshën më të madhe në eksportet e transportuara me rrugë detare janë: “Tekstile dhe këpucë” 46,5 %, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” 23,5 % dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 11,3 %. Gjatë këtij tremujori, grupet kryesore të mallrave që zënë peshën më të madhe në importet nëpërmjet transportit detar janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 21,2 %, “Tekstile dhe këpucë” me 17,7 % dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” me 14,0 %” thotë INSTAT.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.