Bulevardi i Ri – Hapet segmenti i dytë, nis qarkullimi me rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”
Duke nisur nga sot, Bulevardi i Ri nga ish-Stacioni i Trenit deri te kryqëzimi me rrugët “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja” është funksional për automjetet. Bashkia e Tiranës ka përfunduar segmentin e dytë prej 500 metrash të Bulevardit të Ri, si dhe sheshin e tretë në fund të tij. Kreu i Bashkisë, Erion Veliaj vlerësoi cilësinë e punimeve, si dhe faktin që tashmë zgjidhet një nyje që shkaktonte trafik.
“Jam shumë i lumtur që kemi hapur sot sheshin e tretë të bulevardit dhe ende pa përfunduar pjesa finale e tij, është funksional për automjetet. Ata që banojnë në njësitë 8 dhe 9, të lidhur përmes rrugëve “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”, kanë një mundësi të shkëlqyer të shkurtojnë kohën e tyre në trafik, duke kaluar nga njëra njësi tek tjetra, duke e parë bulevardin si urë dhe jo si ndarje. Jam shumë i lumtur që zgjidhet një nyje e trafikut që i afrohet asaj që në të ardhmen do jetë Unaza e katërt e Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku vuri në dukje se projekti i Bulevardit të Ri po vijon edhe për pjesën tjetër, ndërsa bëri të ditur se ai do të mbyllet me një shesh ceremonial, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që ta mirëmbajnë këtë investim dhe të mos e vandalizojnë.
“Jo vetëm që ky investim ka ecur sipas planit, pavarësisht se humbëm 4 vjet, rikuperuam gjithë kohën e humbur, po përgatitemi që në sheshin final, i cili do të jetë simotra e sheshit “Nënë Tereza”, të bëjmë një investim të jashtëzakonshëm, të jetë një shesh modern, krahasuar me sheshin klasik që kemi në fund nga ku duket Universiteti i Tiranës”, shtoi ai.
Sipas kreut të bashkisë, në këtë hapësirë do të vendosen shumë institucione publike dhe të biznesit, çka pritet ta bëjë atë një nga zonat më të preferuara të Kryeqytetit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.