Bum bllokimesh e konfiskimesh – Krimi, trafiqet e terrorizmi, sekuestrohen 66 pasuri e 11 biznese
66 pasuri të paluajtshme dhe 11 biznese të dyshuara si produkt i krimit të organizuar, veprave penale apo financuese të terrorizmit i janë kaluar Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Scan ka zbardhur raportin zyrtar të kësaj Agjencie për vitin e shkuar, sipas së cilës vlera e 11 prej këtyre pasurive të paluajtshme arrin në rreth 2.6 milionë dollar. Paralelisht agjencia ka marrë nën administrim edhe 30 llogari bankare të sekuestruara.
Po gjatë vitit të shkuar Agjencisë i janë kaluar nën administrim 16 pasuri të paluajtshme të konfiskuara, me vlerë rreth 2.8 milionë dollarë, ashtu si dhe 24 llogari bankare me vlerë rreth 7 milionë dollarë.
Agjencia bën me dije se një pjesë e pasurive nën administrim të saj janë nxjerrë në shitje, e disa të tjera jepen me qira. Ndërkohë që një pjesë e fondeve për vitin e shkuar u janë kaluar institucioneve shtetërore të përfshira në luftën kundër terrorizimit, si dhe qendrës për viktimat e trafikimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.