Bundesbank mbron euron, Weidmann: Është dollari i fortë, jo euro e ulët
Kreu i Bankës Qendrore të Gjermanisë, Jens Weidmann, tha se Administrata e Shteteve të Bashkuara duhet të fajësojë veten dhe jo Gjermaninë për fuqizimin e dollarit kundër euros.
Komentet e kryetarit të Bundesbank vijnë në mbështetje të BQE, pasi ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble fajësoi institucionin europian për mbajtjen e euros në nivele të ulëta.
Jens Weidmann tha se komentet nga këshilluesit e presidentit Donald Trump, se Gjermania po shfrytëzon partnerët tregtar në Europë dhe SHBA me një valutë të zhvlerësuar, janë “absurde”.
“Supozimet që manipuluesit e valutave duhet të fajësohen për dollarin e fortë nuk lindin nga fakte. Rritja e fundit e dollarit vjen prej faktorëve të brendshëm, nga lajmërime politike të Qeverisë së re”, tha Weidmann.
Grafiku i valutës amerikane e vërteton këtë, ndërsa menjëherë pas fitores së Donald Trump, dollari preku nivelet më të larta të 2016-ës.
Megjithatë, anëtari i bordit drejtues të Bankës Qendrore Europiane dhe njëkohësisht kryetar i Bundesbank, Jens Weidmann, tha se nuk ka kuptim të niset një luftë valute.
Ai mbrojti gjithashtu politikat e stimujve të BQE nga vetë kritikët gjermanë, duke thënë se për momentin janë të përshtatshme.
Megjithatë ai shtoi se ndërsa inflacioni arrin objektivin, stimujt monetarë duhet të ndërpriten, pavarësisht se kjo mund të bëjë që disa vende më të dobëta në Eurozonë të kenë vështirësi në pagimin e borxhit.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.