Burg mjekëve që neglizhojnë – Profesionistët: Ndikojnë kushtet e punës e protokollet. Deputetët: Vepër penale
Ndryshimet në “Kodin Penal”, që dekriminalizojnë gabimin mjekësor, por jo neglizhencën e personelit shëndetësor duhet të marrin parasysh edhe kushtet e punës në institucionet shëndetësore dhe saktësinë e protokolleve që sot nuk plotësojnë të gjitha standardet.
Kërkesa është bërë nga përfaqësuesit e profesionistëve të shëndetësisë, gjatë një dëgjese të realizuar në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, të cilët nxorën në pah se në shumë raste janë problemet e sistemit, që çojnë në një shërbim shëndetësor jo të mirë ndaj qytetarëve.
Disa prej përfaqësuesve kërkuan edhe dekriminializimin e neglizhencës, duke e trajtuar vetëm si çështje administrative, por deputetët hodhën poshtë këtë variant. Diskutime pati edhe për dënimin e dhunës ndaj bluzave të bardha, ku kreu i Urdhrit të Mjekëve kërkoi vetëm dënimin me burg dhe jo vendosjen e gjobave.
Përfaqësuesit e profesionistëve të shëndetësisë kërkuan edhe mos arrestimin e mjekëve deri në momentin e dhënies së një vendimi përfundimtar nga gjykata, por deputetët thanë se këto problematika nuk mund të adresohen nga ndryshimet në Kodin Penal, pasi I takojnë Kodit të Procedurës Penale.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.