Burgim deri në 2 vjet për individët që burgosin kafshët e egra
Keqtrajtimi i kafshëve të egra është një dukuri e cila vazhdon akoma në vendin tonë. Ish- ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka depozituar në Kuvend një projektligj për disa ndryshime në Kodin Penal.
Projektligji është ndërtuar me disa shtesa në kategori të ndryshme, ku një ndër nenet përfshin edhe “Robërimin e kafshëve të egra për përfitim”. Sipas këtij neni, njerëzit të cilët përdorin për arsye përfitimi apo robërojnë kafshët e egra do të dënohen dhe me burgim nga 6 muaj deri në 2 vjet dhe me gjobë në masën 300 000 lekë.
Vetëm vitin e kaluar janë identifikuar më shumë se 50 arinj të mbyllur në kafaze. Keqtrajtimi i kafshëve të egra bëhet në forma të ndryshme që përdoren kryesisht për shitje, ekspozim në kafaz apo edhe për të bërë foto.
Këto kafshë pas raportimeve dërgoheshin në qendra rehabilitimi, por nuk merreshin masa për autorët.
Që të gjitha këto akte tashmë do të dënohen me masën e përcaktuar më sipër, e cila përfshin burgim dhe gjobë njëherësh.
Genta Dobra/SCAN
Ndeshjet me qen, 3 vjet burg kur ngordh kafsha – 200 mijë lekë gjobë kush poston foto
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.