Bursa e Madridit-“Luftë” mes Euronext të Parisit dhe Six të Zyrihut
Bursa e Madridit është në qendër të betejës së bursës europiane të aksioneve. Euronext, operatori që bashkon shkëmbimet e aksioneve të Parisit, Brukselit, Amsterdamit, Lisbonës, Dublinit dhe së fundmi edhe Oslon nën një ombrellë të vetme, ka konfirmuar negociatat në zhvillim për blerjen e Bolsas y Mercados Españoles (Bme) që kontrollon sheshin në Madrid. Menjëherë pas tyre Six, një grup financiar zviceran që kontrollon Bursën Zvicerane, doli në treg duke shpallur një ofertë blerjeje publike me vlerë 3 miliardë franga për Bursën e Madridit.
Nëse operacioni do të realizohej, do të krijohej furnizuesi i tretë në Europë i infrastrukturave të tregut financiar. Six propozon të bëjë blerjen 100% të kapitalit aksionar të Bme me aktive likuide; oferta, shpjegon grupi zviceran në një shënim, vlerëson secilën pjesë të Bme me 34 euro për një shumë totale prej 2.8 miliardë eurosh, ekuivalente me rreth 3.1 miliardë frangash zvicerane (CHF).
Tashmë në muajt e fundit, në publikime të ndryshme për shtyp u vu re interesi i Euronext për Bursën e Madridit. Në fakt, tregu i aksioneve europiane po gjeneron një entuziazëm të caktuar, ndërsa Euronext ka njoftuar në planin e tij të ri të veprimit të miratuar “Rritemi së bashku, rritje deri në vitin 2022”, qëllimin për t’u rritur me linja të jashtme. Kjo ditë konfirmon interesin e ngjallur në Madrid, i cili, megjithatë, sipas Euronext jo domosdoshmërish çon në një ofertë: “Bisedimet në vazhdim me bordin e drejtorëve të Bursës së Madridit mund të rezultojnë me ofertën e blerjes ”, deklaroi kompania në një deklaratë. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.