Bursa ishte domosdoshmëri, Malaj: Ka mundësi zhvillimi në tregun vendas
Hapja e bursës së parë private në Shqipëri, ALSE, është cilësuar si një domosdoshmëri nga ekspertët e ekonomisë. Në një intervistë për televizionin SCAN, Rektori i Universitetit “Luarasi”, Arben Malaj, theksoi se, ndryshe nga përpjekjet e mëparshme për të krijuar një bursë publike, që u penalizua nga informaliteti dhe cilësia e dobët e deklaratave financiare, ALSE ka më shumë mundësi suksesi, pasi edhe aftësia e autoriteteve mbikëqyrëse është përmirësuar.
“Unë besoj se domosdoshmëria ka ardhur duke u rritur, nuk është hera e parë që janë bërë përpjekje për të krijuar bursën shqiptare. Fillimisht ajo ka qenë publike, e krijuar para viteve ’96 dhe në mënyrë të gjatë u testua që të ishte funksionale. Ndoshta në atë kohë shkalla e informalitetit, cilësia e dobët e deklaratave financiare, investimi për stafet menaxhuese të bursës, i cili do jetë një pikë e rëndësishme, aftësia e autoriteteve mbikëqyrëse, sepse tregu i kapitaleve duhet të jetë i mbikëqyrur nga autoriteti i mbikëqyrjes financiare në tërësinë e tyre duhet të kenë evoluar, dhe kjo është një sfidë. Duke qenë se tashmë është një bursë private, duke qenë se autoriteti i mbikëqyrjes financiare, i cili asistohet nga institucione financiare ndërkombëtare që të jetë sa me funksional, sa më parandalues. Të shpresojmë që jemi në momentin që bursa të jetë funksionale. Edhe vizioni që bursa fillimisht do të fillojë me tregtimin e instrumenteve të borxhit shqiptar, dhe në mënyrë graduale do bëhet gati lista e kompanive që do të listohen”.
Sa i takon rëndësisë së krijimit të kësaj burse në vendin tonë, Malaj u përgjigj se, kjo gjë sjell fitime për të dy palët; kompania zgjerohet pa rritur borxhet, ndërsa investitorët rrisin portofolin e tyre.
“Tregu i kapitaleve është i rëndësishëm në kompanitë private, për arsye se ato mund të rrisin aktivitetin e tyre pa rritur borxhet, pa rritur numrin e aksionerëve, të cilët synojnë fitime më të mëdha, duke u bërë pjesë e kompanive që listohen në bursë. Dhe përgjithësisht në bursë listohen kompani që kanë rezultat financiar të lartë dhe të qëndrueshëm. Në këtë aspekt mendohet që të fitojnë të dyja palët. Kompania që zgjerohet pa rritur borxhet e saj dhe njëkohësisht rritet mundësia e portofolit të investimeve për investitorët potencial, që aktualisht mund ti lidhin këto kursime apo fitime të tyre thjesht në sistemin bankar apo mund të fillojnë biznese të vogla”.
Malaj nënvizoi si të rëndësishme, nevojën për një edukim të mirë lidhur me tregun financiar, edhe në radhët e investitorëve individualë.
“Tashmë që gjendemi përballë një burse ku disa mijëra shqiptar do të preferojnë të investojnë në të. Edukimi, sidomos edukimi i investitorëve individual është i domosdoshëm, pasi kompanitë nëse do të investojnë në bursë kanë ekspertizën e tyre”.
Bursa e parë private në Shqipëri, ALSE, u licencua nga AMF në 3 korrik të këtij viti. ALSE është një shoqëri aksionare, me tre aksionarë themelues: Credins Bank dhe ABI Bank me nga 42.5% të kapitalit dhe AK Invest me 15% të kapitalit.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.