Bursa mbështet zhvillimin ekonomik dhe biznesin! Intervistë me Pranvera Kastrati
Bursa e parë private në Shqipëri mbështet zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të ketë një impakt pozitiv për investimet afatgjata nga ana e biznesit”. Deklarata vjen nga drejtoresha e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik, pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Pranvera Kastrati, e cila në një intervistë për ‘Scan Magazine’ komenton licencimin e bursës shqiptare të titujve ‘ALSE’. Bursa pritet të hapë dyert në vjeshtë të këtij viti, ndërsa sipas Kastratit, kjo shoqërohet me një sërë sfidash për shoqatat e biznesit dhe institucionet shtetërore, të cilët janë përgjegjës për të ndihmuar dhe rritur dijet e biznesit shqiptar në këtë fushë.
Znj. Kastrati, në datën 3 korrik Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka miratuar hapjen e bursës së parë private në Shqipëri. Në këndvështrimin tuaj, sa i rëndësishëm është ky vendim për biznesin dhe ekonominë shqiptare?
Padiskutim që krijimi i bursës është një hap shumë i rëndësishëm në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe padiskutim në mbështetje të bizneseve dhe sipërmarrjes. Kjo parë edhe nga fakti që në të gjitha vendet, qoftë të zhvilluara, qoftë në zhvillim, bursa u ka dhënë shumë vlerë të shtuar burimeve afatgjata të investimit. Përsa kohë që bizneset kanë nevojë që të kenë mundësi dhe alternativa për të investuar në një periudhë afatgjatë, bursa në vlerësimin tonë do të japë patjetër një impakt pozitiv. Nuk ka diskutim që ky proces, ka sfida. Është një sipërmarrje e re, e cila do të kërkojë ndër të tjera dhe ndërmarjen e shumë aktiviteteve dhe iniciativave ndihmëse, si nga ana e qeverisë, por edhe nga ana e vetë biznesit, për vetë faktin se krijimi i bursës në vetvete do të mundësojë edhe listimin e kompanive, do të mundësojë kuotimin e aksioneve të tyre dhe do të krijojë mundësi që shoqëritë tregtare të tregtojnë aksionet e veta në bursë.
Cilat janë këto sfida sipas jush?
Ka nevojë që bursa të ketë imazhin e besimit për të gjitha shoqëritë tregtare në Shqipëri, ndaj krijimi i besimit midis bursës së parë private dhe shoqërive tregtare është shumë i rëndësishëm. Është një proces dhe një ndërmarrje që nuk mund ta bëjë bursa e vetme. Padiskutim është një iniciativë, që duhet ta mbështesin institucionet shtetërore, vetë bizneset dhe shoqatat e biznesit, në mënyrë që të krijohet klima e bashkëpunimit, midis bursës dhe shoqërive tregëtare. Kuptohet që jo gjithmonë do të jetë e thjeshtë. Jo të gjitha kategoritë e bizneseve që ka në Shqipëri, do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë pozitivisht bursën për investimet e tyre. Por kuptohet, si gjithë proceset e tjerë që kanë një fillim në procesin e zhvillimit, edhe bursa do të ketë nevojë për mbështetje, deri sa ajo të kthehet në një mbështetje më të konsoliduar për bizneset shqiptare.
Ju folët për sfidat dhe për rolin që duhet të kenë institucionet shtetërore në zgjidhjen e tyre. Më konkretisht, cili duhet të jetë pozicioni i këtyre strukturave, në zgjidhjen e tyre?
Ajo që kam parasysh, lidhet me faktin që bizneset vetë duhet ta kuptojnë se çfarë është bursa. Duhet të kenë më shumë informacion, në mënyrë që ta besojnë atë. Mjafton që të kujtojmë se në vitin 1996 u krijua bursa e parë. Pati një rigjallërim në vitin 2002 (Bursa e Tiranës), por që nuk rezultoi një sipërmarrje e suksesshme dhe nuk dha atë impakt, që pritej të jepej në atë kohë. Unë nuk mund të them që shkaku se ajo nuk dha impaktin e pritur ishte fakti që mungonte edukimi për bursën, por duhet pranuar që edukimi ka patur rolin e vet. Dhe unë besoj që institucionet shqiptare, të cilat janë përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe në këtë rast roli Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është shumë i rëndësishëm, por së bashku me institucionet e tjerë që monitorojnë tregjet financiare në Shqipëri duhet të ndihmojnë për të trajnuar dhe për të ngritur dijet që biznesi ka për bursat.
Çfarë do të sillte kjo sipas jush?
Kuptohet që bursa, fillimisht do të jetë më e pranueshme dhe më shpejt e përdorshme nga bizneset elitare, por nëse rritet shkalla e ndërgjegjësimit dhe shkalla e njohurive për të, mundet që ajo të kthehet në një mundësi të mirë përfitimi si për bizneset e mesme ashtu edhe për qytetarët. Duke qenë se mundësia që edhe vetë qytetarët të kenë mundësi nëpërmjet bursës, me kursimet e veta, të marrin pjesë në bursë, besoj që sa më shumë të rritet njohuria dhe informacioni rreth bursës, aq më e lehtë do të jetë për bursën që të japë efektet e pritshme.
Po vetë biznesi si mund të kontribuojë në ‘edukimin’ e sipërmarrjes rreth bursës?
Sigurisht që edukimi rreth bursës nuk është detyrë vetëm e institucioneve shtetërore. Padiskutim që bizneset elitare duhet që të marrin pjesë gjithmonë e më shumë në shpërndarjen e dijes dhe njohurive rreth bursës. Shoqatat e biznesit duhet të luajnë një rol, qoftë kjo nëpërmjet dhomave të tregtisë apo dhe shoqatave të tjera me karakter financiar, në mënyrë që informacioni të shpërndahet dhe pritshmëritë e biznesit ndaj bursës të rriten.
Ola Mitre/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.