Bursa “ngre siparin” – Fillon tregtimi i titujve të qeverisë
Data 22 shkurt shënoi nisjen, për herë të parë, të një tregu funksional të titujve në Shqipëri. Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE, filloi zyrtarisht aktivitetin e vet ditën e enjte.
Fillimisht, tregtimi ka nisur bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare, ashtu siç parashikohet në licencën e dhënë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Subjektet e interesuara për të tregtuar tituj të qeverisë para afatit të maturimit, mund t’i paraqesin kërkesat dhe ofertat e tyre në platformën elektronike të tregtimit në ALSE, nëpërmjet bankave apo firmave të brokerimit, që janë të anëtarësuara pranë këtij tregu.
Që nga korriku i vitit të kaluar, Bursa Shqiptare e Titujve është i vetmi treg i letrave me vlerë i licencuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.
Pas vitit të parë të aktivitetit, Bursa do të jetë e hapur edhe për tregtimin e titujve të kompanive private.
Potencialet për zhvillimin e tregut të titujve janë në rritje, duke pasur parasysh se tashmë disa kompani private po përdorin obligacionet si instrument të huamarrjes.
Ersuin Shehu/SCAN
Tregu i kapitalit – 30 miliardë euro në pritje të bursës
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.