Bursa shqiptare, Beqiri: Inovacion për biznesin për burime financimi
Pas një periudhë të vështirë për sipërmarrjen për të gjetur burime financimi, hapja e bursës së parë shqiptare shihet me optimizëm.
Eksperte e Ekonomisë, Irena Beqiri, shprehet në një intervistë për TV SCAN, se zhvillimi i tregut të kapitaleve, ku bizneset do ti referohen fondeve të investimeve do të rrisë konkurrencën në treg.
Sipas saj, zhvillimi i tregut sekondar, krahas atij primar do ketë një ndikim pozitiv ne ekonominë shqiptare.
“Ka ardhur koha që duhet të eksplorojmë produkte të tjera inovativë, tregje të tjera të ndërmjetësimit, në të cilën bizneset të kenë mundësi të gjejnë burimet financiare. Kjo do t’iu shërbejë shumë mirë edhe bankave, do ti lëviz nga ky gjumi letargjikë që I ka zënë. Dhe do të krijojë një konkurrencë më të madhe në treg për ofruesit e fondeve. Bursa që është krijuar është një lajm jashtëzakonisht pozitiv për ekonominë shqiptare. Shpresoj që të mbështetet fuqimisht, jo vetëm nga AMF-ja, Banka e Shqipërisë, por edhe nga gjithë sistemi në tërësi, nga qeveria, sepse është një mënyrë e re inovative, shumë e rëndësishme për biznesin për të gjetur fondet e financimit.”
Brenda muajve të parë të këtij viti pritet të bëhet efektive bursa e parë private në Shqipëri. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi bursën e parë private ALSE, në muajin korrik.
Ajo shihet si një zhvillim shumë i rëndësishëm për tregun financiar shqiptar, pasi ju mundëson bizneseve të rrisin kapitalin duke tërhequr aksionerë të rinj.
Nga ana tjetër, investitorët do të kenë mundësinë të investojnë në një treg të rregulluar, që ofron besim dhe transparencë të plotë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.