Bursa Shqiptare shton kapitalin – Credins dhe ABI rrisin investimin në ALSE
Credins Bank dhe ABI Bank do të rrisin investimin e tyre në Bursën Shqiptare të Titujve (ALSE). Me një vendim të marrë në mesin e muajit Gusht, asambleja e aksionerëve të ALSE ka vendosur rritjen e kapitalit të shoqërisë me 35 milionë lekë.
Aksionet e reja të emetuara janë nënshkruar në mënyrë të barabartë nga dy aksionerët kryesorë, Credins Bank dhe ABI Bank. Pas rritjes së kapitalit, Credins dhe ABI do të zotërojnë secila 45.59% të aksioneve në ALSE, ndërsa pjesa në përqindje e aksionerit të tretë, AK Invest do të ulet në 8.82%. Rritja e kapitalit do t’i shërbejë konsolidimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të aktivitetit të bursës ALSE.
Bursa Shqiptare e Titujve u licencua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në korrik të vitit 2017, ndërsa nisi operacionet në shkurt të vitit 2018. Gjatë vitit të parë të aktivitetit të saj, bursa ALSE realizoi një volum tregtimi prej rreth 2.57 miliardë lekë ose rreth 21 milionë euro. Deri në fund të këtij viti, pritet që ALSE të hedhë një hap edhe më të rëndësishëm, mundësimin e tregtimit të titujve të shoqërive private.
Tregu duket se ka interes të konsiderueshëm, sidomos për titujt e borxhit, çka dëshmohet nga numri në rritje i subjekteve që po emetojnë obligacione me ofertë private. Në krahun tjeteër, edhe investitorët kanë nevojë për më shumë alternativa investimi financiar, në kushtet kur normat e interesit të instrumenteve tradicionale janë pranë niveleve më të ulëta historike.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.