Bursat e studimit – Rreth 2000 studentë përfituan gjatë këtij viti
Rreth 2000 studentë kanë përfituar Bursë gjatë këtij viti akademik nga fondi i mbështetjes studentore për studentët e shkëlqyer, studentët që studiojnë në programe studimi në fushat prioritare dhe studentët në nevojë.
Kategoritë përfituese janë disa, duke filluar nga Studentët e shkëlqyer, me notë mesatare maksimale nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, studentët, të cilët kanë zgjedhur të ndjekin programet e studimit që përbëjnë prioritet kombëtar. Studentët të regjistruar në programet e ciklit të parë të studimeve në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë publik dhe që u përkasin shtresave sociale në nevojë.
Studentë në nevojë ndahen sipas kriterit ekonomik dhe jo ekonomik . Tek kategoria e parë përfshihen Studentët që ndjekin studimet në largësinë mbi 10 km nga vendbanimi, secili nga studentët i cili rezulton bashkëshort me fëmijë, dhe kur familja e tij trajtohet me ndihmë ekonomike si edhe personat me aftësi të kufizuar.
Ndërsa jashtë kriterit ekonomik përfshihen Studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, ata që kanë humbur përgjegjësinë prindërore dhe studentët që janë identifikuar e trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore. Bursa përllogaritet si shpenzim mesatar ditor për lekë në ditë dhe paguhet çdo muaj, me kalim në numrin e llogarisë bankare të çdo studenti.
Efektet financiare për mbulimin e shpenzimeve për bursa për një vit të caktuar akademik përballohen nga fondet e buxhetit të shtetit, të miratuara për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për periudhat përkatëse buxhetore. Ndërkohë pritet që në dhjetor të këtij viti priten të shpallen bursat për vitin akademik 2017-2018.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.