Bursat europiane, të qëndrueshme – Rusia njofton tërheqjen nga Kievi, SHBA ngre dyshime mbi qëllimin
Bursat europiane po shfaqen të qëndrueshme në sesionin e sotëm, pas fitimeve të konsiderueshme një ditë më parë. Shpresat për progres në bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës kanë rritur tregjet dhe mundësitë për ti dhënë fund konfliktit.
Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie të lehtë me 0.3%, ndërsa sektori bankar kryeson humbjet, në rënie me 1.1%.
Ditën e martë, besimi i investitorëve u rrit ndjeshëm pasi zëvendësministri rus i mbrojtjes, Alexander Fomin, deklaroi se operacionet ushtarake përreth Kievit janë ulur ndjeshëm. Fomin, i cili foli pas bisedimeve në Stamboll, deklaroi se ky vendim do të merret, në mënyrë që bisedimet e paqes të progresojnë edhe më tej.
Megjithatë, ka dyshime mbi këtë angazhim të Rusisë, pasi pavarësisht largimit të trupave nga rrethinat e Kievit, sekretari i shtypit të Pentagonit, John Kirby, paralajmëroi se kjo zhvendosje nuk do të thotë tërheqje.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.