Bursat europiane zgjerojnë fitimet – Investitorët, të fokusuar te lufta në Ukrainë dhe infektimet në Kinë!
Tregjet europiane janë rritur ndjeshëm në sesionin e fundit të javës, pas disa sesionesh në paqëndrueshmëri të lartë, për shkak të luftës në Ukrainë dhe pritshmërive për shtrëngimin e politikave monetare në SHBA. Indeksi pan-European Stoxx 600 e ka nisur ditën në rritje me 1.1%, ndërsa sektori i automjeteve realizon fitimet më të mëdha, në rritje me 1.7%.
Kongresi amerikan votoi unanimisht për t’i hequr Rusisë statusin tregtar dhe të ndalojë importet e naftës dhe gazit. Gjithashtu, kongresi ndaloi investimet e reja ruse në vend dhe sanksionoi vajzat e presidentit Vladimir Putin, pas raportimeve për tortura dhe krime ndaj civilëve nga trupat ruse në Ukrainë. Gjithashtu, edhe Bashkimi Europian miratoi sanksione të reja ndaj Rusisë, duke përfshirë ndalimin e importeve të qymyrit dhe ndalimin e anijeve ruse të ankorojnë në portet e Bashkimit Europian.
Gjithashtu, investitorët po ndjekin me interes edhe rikthimin e kufizimeve në Kinë, për shkak të rritjes së infektimeve me Covid-19, që mund të çrregullojnë sërish tregtinë globale. Në tregun e naftës, bençmarkët kryesorë po qëndrojnë në rritje të lehtë, me Brentin e Londrës që po tregtohet në rreth 101 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.