Bursat goditen nga “pavarësia” – 90% votojnë për ndarjen, aksionet spanjolle bien ndjeshëm
Lideri rajonal i Katalonjës krijoi mundësinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Spanja ditën e Djelë, ndërkohë që votuesit sfiduan përplasjen e dhunshme me policinë dhe votuan me 90% pro ndarjes.
Pavarësisht përpjekjes nga policia për ta ndaluar referendumin, që u shpall i paligjshëm nga gjykata kushtetuese e Spanjës, qeveria e Katalonjës deklaroi se 2.26 milionë njerëz kanë votuar, me një pjesëmarrje prej rreth 42%.
Komentet e liderit të Katalonjës, Carlos Puigdemont vijnë pas një fjalimi të Kryeministrit Mariano Rajoy, i cili nuk e pranoi pavarësinë dhe akuzoi separatistët se po përpiqen të “kërcënojnë të gjithë kombin”.
Zyrtarët në Katalonjë thonë se më shumë se 800 njerëz janë dëmtuar nga përplasjet me policinë, ngjarje që ka zhytur vendin në krizën më të thellë kushtetuese në dekada dhe ashpërsuar ndarjet mes Madridit dhe Barcelonës.
“Qeveria ime, në ditët e ardhshme do të dërgojë rezultatin e votimit në Parlamentin e Katalonjës, ku qëndron sovraniteti ynë, në mënyrë që të veprojë në zbatim me ligjin për referendumin”, tha lideri rajonal.
Ligji për referendumin, që nuk njihet nga Madridi, projekton një deklaratë të njëanshme të pavarësisë nga parlamenti i Katalonjë, nëse shumica voton për t’u ndarë nga Spanja.
“Situata mund të përkeqësohet, po hyjmë në një fazë të protestave të dhunshme”, shkruan e përditshmja La Vanguardia në Katalonjë.
Rajoni është një qendër industrie dhe turizmi që përbën për 1/5-tën e ekonomisë spanjolle, është baza e kompanive të mëdha internacionale si Volkswagen e Nestle dhe përmban portin me rritjen më të shpejtë në Europë.
Euro ra kundër dollarit amerikan, duke prekur një nivel të ulët prej 1.1738. Indeksi i aksioneve të Spanjës, IBEX 35 ra me 1.3% në sesionin tregtar të së Hënës, që është edhe i pari për tremujorin, në një kohë që bursat e tjera europiane u hapën në performancë pozitive.
Sektori bankar spanjoll pati performancën më të dobët, me aksionet e huadhënësve që treguan rënie nga 1.8% në 3.2%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.