Bursat ndryshojnë pak – Investitorët presin konferencën e Janet Yellen
Tregjet globale po ndryshojnë shumë pak, gjatë sesionit të sotëm, për shkak se investitorët janë të shqetësuar për rikthimin e tensionit gjeopolitik në gadishullin korean dhe po presin vendimmarrjen e Rezervës Federale mbi politikat monetare, mbrëmjen e sotme.
Indeksi pan-europian Stoxx 600, ndryshoi minimalisht gjatë sesionit, me sektorët kryesorë që janë luhatur pak. Përsa i përket korporatave, kompania franceze e shërbimeve, Suez, mori një zhvlerësim nga Credit Suisse.
Analistët e kësaj banke deklaruan se aksionet e firmës u zhvlerësuan në “nënperformuese” nga “neutrale” që ishin më parë, duke cituar rreziqet e forcimit të euros përballë dollarit amerikan.
Ndërkohë, sektori i telekomit u rrit me rreth 0.4%, me Deutsche Telekom, që kryeson fitimet. Kompania Kingfisher, ndërkohë, raportoi një rritje të fitimeve me 1% në gjysmën e parë të vitit 2017, për shkak të përmirësimit ekonomik në Britani dhe në Francë.
Për këtë arsye, aksionet e kësaj kompanie u rritën me rreth 7%. Përsa i përket të dhënave makroekonomike, shitjet me pakicë më Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 1% përgjatë muajit gusht, krahasuar me korrikun dhe me 2.4% krahasuar me gushtin e vitit 2016.
Bursat aziatike, ndërkohë, ndryshuan shumë pak për shkak se investitorët u treguan të kujdesshëm në pritje të përfundimit të takimit të Rezervës Federale.
Humori i investitorëve është dobësuar disi, pasi në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Donald Trump paralajmëroi se do ta shkatërrojë Korenë e Veriut nëse vazhdon me testet bërthamore.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.