Bursat në të “kuqe” – Tensionet politike dhe gjuha e luftës, java më e keqe për 2017
Bursat europiane kanë regjistruar sesionin e tretë me radhë në humbje, çka ka gjeneruar edhe performancën më të dobët të tregjeve të aksioneve të kontinentit të vjetër gjatë këtij viti.
Janë pikërisht tensionet politike shkaktarët e një situate të tillë, jo vetëm në Europë, por në të gjithë tregjet globale.
Indeksi pan europian Stoxx 600 ra me 0.7% vetëm gjatë së Premtes, duke i çuar humbjet javore në 2.4%, që është performanca më e dobët që prej Nëntorit të vitit të kaluar. Indeksi i luhatshmërisë së tregjeve europiane preku nivelin më të lartë në 4 muaj.
Ky është matësi më i mirë i ankthit në tregje. Edhe tregjet aziatike së bashku me ato amerikane, raportojnë rënie të ndjeshme, si pasojë e gjuhës së luftës mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.
Në rënie janë edhe çmimet e naftës. Indeksi bankar ndërkohë raporton një rënie me 0.9%, duke regjistruar performancën më të dobët në 9 muaj.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.