Bursat, tendencë në rritje – Investitorët mirëpresin rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani
Tregjet financiare globale janë rritur lehtë gjatë sesionit të parë të kësaj jave, pasi investitorët e kanë mirëpritur rezultatin e zgjedhjeve në Gjermani, pavarësisht se fitorja e Merkel parashikohej gjerësisht.
Por, ekziston edhe kujdesi, pasi nacionalistët “Alternativa për Gjermaninë”, u futën në parlament për herë të parë të histori. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 u rrit me rreth 0.2%.
Sektori bankar realizon performancën më të dobët, me Commerzbank dhe Deutsche Bank, në rënie me rreth 1.3%. Euro është gjendur nën presion, pasi pavarësisht se kancelarja Angela Merkel fitoi mandatin e katërt qeverisës, ajo duhet të përballet me negociata të vështira për krijimin e koalicionit.
Përsa i përket korporatave, kompania suedeze e ndërtimit, NCC, realizoi performancën më të dobët në kontinent, në rënie me rreth 7.5%, pasi paralajmëroi për rënie të fitimeve.
Gjithashtu, kompania, Lufthansa pritet të paguajë 200 milionë euro, për të blerë asetet e AirBerlin, referuar burimeve të Reuters.
Për këtë arsye, kompania gjermane e fluturimeve është në rritje me rreth 2%.
Në fokus të investitorëve janë edhe bisedimet për Brexit, që rifilluan ditën e sotme në Bruksel.
Në fjalimin e mbajtur javën e kaluar, kryeministrja, Theresa May, kërkoi një periudhë tranzitore, pas marsit të 2019, kur parashikohet që Britania të dalë nga unioni.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.