Bushati jep garanci – “Zhvillimi ekonomik i domosdoshëm për procesin e integrimit”
Ministri Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së (Gymnich), që u zhvillua në Sofje, me ftesë të Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini dhe Zëvendës Kryeministres dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva. Në takimin informal të 28 ministrave të jashtëm të unionit u ftuan edhe ministrat e jashtëm të Ballkanit perëndimor, si dhe ai i Turqisë, ndërkohë që integrimi i Ballkanit ishte në axhendën e diskutimeve.
Gjatë një interviste të shkurtër, pas mbërritjes së tij në Sofje, ministri Bushati ka deklaruar se, do të dëshironte që Strategjia e Zgjerimit të Komisionit Evropian të ishte më e detajuar mbi hapat që duhet të ndërmerren nga vendet kandidate.
“E mirëpresim publikimin e Strategjisë. Sigurisht do të dëshironim të ishte më shumë e detajuar mbi hapat që duhet të merren nga vendet kandidate, masat dhe instrumentet financiare e politike që mund të ofrohen nga BE. Gjithsesi, dëshiroj të rikonfirmoj që ky është një hap i mirë, në drejtimin e duhur, sidomos pas viteve të vështira që procesi i zgjerimit ka kaluar. Ne dëshirojmë të punojmë me Komisionin dhe vendet anëtare në materializimin e 6 nismave madhore që potencialisht do na afronin më shumë pranë BE-së. Sundimi i së drejtës vjen i pari, por siç e dimë shumë mirë, nuk ka sundim të së drejtës pa zhvillim ekonomik dhe nuk ka zhvillim të qëndrueshëm ekonomik pa sundim të së drejtës. Prandaj është e rëndësishme si për BE ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor të vendosin një barazpeshë midis këtyre dy komponentëve të strategjisë”, tha Bushati.
Gjatë takimit të ministrave me komisioneren Mogherini janë diskutuar edhe detaje mbi samitin e muajit maj, atë mes Brukselit dhe Ballkanit perëndimor, i pari që prej vitit 2003.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.