Bushati optimist për hapjen e negociatave të anëtarësimit në qershor
“Deri në takimin e Këshillit Evropian në qershor, ne jemi besimplotë se do të krijojmë bindjen, do të qartësojmë skeptikët dhe do të përparojmë në negociata zyrtare”.
Kështu është shprehur Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati në një editorial për revistën “Parliament Magazine.”
Sipas tij, politikëbërësit e BE-se nuk do të kenë asnjë dyshim lidhur me angazhimin e Shqipërisë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, duke e cilësuar këtë si një mundësi historike.
Duke pranuar se ky proces do të jetë i vështirë, ai shton se sipas sondazheve përqindja më e madhe e qytetarëve shqiptarë e shohin të ardhmen e tyre si pjesë të Europës.
“Ekziston një konsensus i fortë midis shtetasve shqiptarë për t’u bashkuar me BE dhe ne kemi ndërmarrë vazhdimisht hapa pozitiv drejt harmonizimit me standardet e BE-së. Sondazhet tregojnë se 80 për qind e shqiptarëve e shohin të ardhmen e tyre si pjesë të Evropës, me vlera të përbashkëta dhe një respekt të përbashkët për rëndësinë e sundimit të ligjit, të të drejtave të qytetarëve dhe qeverisjes së mirë.”
Duke vijuar më tej, ai është ndalur edhe te rritja e bashkëpunimit ekonomike, të cilën e ka cilësuar edhe si jetike për strategjitë e punësimit.
“Rritja e bashkëpunimit ekonomik është gjithashtu jetike për strategjitë tona të punësimit; BE është partneri më i madh tregtar i Shqipërisë që zë 2,82 miliardë euro të eksporteve tona. Gjithashtu kemi një kontribut neto pozitiv për të dhënë drejt sigurisë së Evropës, përforcimit të kufijve, luftës kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar dhe menaxhimit të flukseve të migracionit. Politika jonë e jashtme është në përputhje të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.”
Ndërsa sa i takon ‘parakushteve’ për hapjen e negociatave që Brukseli ka vendosur, ai tha se qeveria po bën progres të qëndrueshëm në të gjitha fushat, duke shprehur vendosmëri në çuarjen para të reformave.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.