Buxheti 2019, si u nda paketa 5 miliardë euro
Buxheti i shtetit për vitin 2019 mund të shihet në tre segmente që nuk janë në sinkron me njëra-tjetrën.
Optimist sa i përket rritjes ekonomike dhe uljes së deficitit, ndërsa “i tërhequr” për rritjen e të ardhurave duke treguar në një farë forme mungese besimi apo defiçencë të administratës tatimore si dhe i kujdesshëm në shpenzime për të shmangur çdo lloj rreziku të mundshëm. Konkretisht, për vitin e ardhshëm, rritja ekonomike parashikohet 4.3 përqind, defiçiti në 1.9 për qind, ndërsa nga ana tjetër, qeveria parashikon rritjen e te ardhurave me 4.7 përqind ku vetëm si pasojë e zgjerimit të ekonomisë dhe inflacionit në 2019 të ardhurat duhet të rriteshin minimalisht me 6 për qind. Për vitin 2019 të ardhurat totale në arkën e shtetit pritet të arrijnë në 486.4 miliardë lekë, ku duke përjashtuar vitin 2015, është rritja më e ulët e të ardhurave në pesë vitet e fundit, në një kohë kur rritja ekonomike parashikohet me e larta në një dekadë. Sa ti takon shpenzimeve, qeveria sërish ka “shtrënguar kuletën” duke u treguar e matur, ku për vitin e ardhshëm janë parashikuar të shpenzohen 519.3 miliardë lekë, ose 4.4 për qind më shumë se sa shpenzimet e pritshme të këtij viti. Por si do të shpërndahen paratë nëpër institucione dhe kush do të përfitojë më shumë?
Ndarja sipas institucioneve
Po cilat janë institucionet që marrin më shumë para dhe cilave u janë hequr fonde krahasimisht më buxhetin e vitit 2018? Nga të dhënat e detajuara, vihet re se Ministria e Shëndetësisë do të marrë më shumë fonde se të gjitha institucionet e tjera publike, konkretisht rreth 60.9 miliardë lekë. Por pavarësisht kësaj, rritja në krahasim me buxhetin e këtij viti është vetëm 2.4 miliardë lekë. Ministria e Financave po ashtu ka marrë një pjesë të konsiderueshme fondesh, dhe renditet menjëherë pas Shëndetësisë me 58.3 miliardë lekë, apo 2,3 miliardë më shumë se buxheti aktual. Po ashtu, fonde të majme në dukje janë akorduar edhe për Ministrinë e Infrastrukturës, me rreth 46.9 miliardë lekë, por krahasimisht me vitin aktual, këtij institucioni i janë hequr rreth 2 miliardë lekë, çka tregon se paratë e shteti për investime në infrastructure janë shkurtuar. Por në këtë pikë, janë lënë hapësira të shumta që një sërë veprash të rëndësishme rrugore por edhe dy aeroportet e projektuara të ndërtohen përmes Partneritetit Publik Privat dhe që do të paguhen direkt nga qytetarët pa i kushtuar asnjë lek arkës së shtetit. Ulje fondesh me rreth 1 miliardë lekë është bërë edhe për Ministrinë e Arsimit, të cilës i jepen 38 miliardë lekë. Megjithëse një ndër sektorët më të keq financuar, për bujqësinë është bërë një rritje modeste fondesh me 0.3 miliardë lekë, me një buxhet total prej 10.8 miliardë lekë. Por për sektorin e bujqësisë, viti i ardhshëm është projektuar që të financohet më së shumti nga fondet e Bashkimit Europian, përmes projektit IPARD II. Ministria e e Mbrojtjes do të ketë një buxhet total prej 21 miliardë lekësh, apo 1 miliardë më shumë, Ministrisë së Brendshme do t’i shkurtohen 1 miliardë, në total do të marrë 20 miliardë lekë, ndërsa për Ministrinë e Drejtësisë është akorduar një buxhet në rritje me 2 miliardë lekë, ku në total do të ketë 12.4 miliardë. Ministritë më të keq financuara, janë Ministria e Punëve të Jashtme me 3 miliardë lekë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me 2.6 miliardë lekë dhe Ministria e Kulturës me 2.1 miliardë lekë, duke ruajtur thuajse nivel të njëjtë buxheti me vitin aktual. Në buxhet parashikohet në shtesë modeste fondesh për Presidencën dhe Kuvendin, respektivisht në 247 milionë lekë dhe 1.1 miliardë lekë, dhe po ashtu një shkurtim i vogël fondesh për kryeministrinë nga rreth 1.2 miliardë lekë, në 1 miliardë lekë. Por institucionet e tjera, si Shërbimi Informativ, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata Kushtetuese, agjenci të ndryshme, etj, financimi ka lëvizur modestisht krahasuar me vitin aktual. Pjesa më e madhe e fondeve shkojnë për shpenzime korrent. Deficiti tregtar i parashikuar në buxhet për vitin e ardhshëm është rreth 33 miliardë lekë.
Shtohet fondi për bashkitë
Rreth 24.3 miliardë lekë do të shpërndahen tek 61 bashkitë në të gjithë vendin gjatë viti 2019 në formën e transfertës së pakushtëzuar. Rritja krahasuar me vitin aktual është modeste, me rreth 1 miliardë lekë. Por cilat janë bashkitë më të “përkëdhelura” dhe ato që marrin më pak fonde. Referuar tabelave të buxhetit 2019, fondet më të larta do të shkojnë për Bashkinë Tiranë, afro 3.5 miliardë lekë, ndër të cilat, pjesa më e madhe do të përdoret për personelin mësimor. Logjikë normale duke qenë se kjo Bashki është më e madhja në vend dhe ka në juridiksion rreth 1 milionë banorë. Për këtë bashki ka pasur rritje me 400 milionë lekë. Pas Tiranës, Bashkia e dytë në renditje me rreth 1.2 miliardë lekë është Durrësi dhe e treta me rreth 1.1 miliardë lekë është Elbasani. Shkodra po ashtu merr një pjesë të konsiderueshme fondesh, rreth 984 milion lekë dhe Vlora 915 milionë lekë dhe Fieri, rreth 905 milionë lekë. Ndërsa sa i përket bashkive që marrin më pak para nga buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm, Pusteci renditet në vendin e fundit, me rreth 52 milionë lekë, ndërsa njësi të tjera me të cilat qeveria është treguar “dorështrënguar”, janë Libohova me 71.6 milionë , Konispol me 95 milionë lekë, Dropulli me 110.7 milionë lekë, Delvina me 117.6 milionë, Tepelenë 155 milionë lekë, Finiq me rreth 158 milionë, Himarë me rreth 164 milionë, Vorë, 185 milionë lekë dhe Bashkia Përmet, të cilës i janë akorduar rreth 187 milionë lekë.
“Thërrime” për qarqet
Për 12 qarqet në vend buxheti ka parashikuar një shumë prej 500 milionë lekësh në total në formën e transfertës së pakushtëzuar. Qarku Tiranë është ai që do të përfitojë më së shumti, rreth 74 milionë lekë, i ndjekur nga Elbasani me 53.3 milionë lekë, Korça me 52.5 milionë lekë dhe më tej Qarku Shkodër me 51.4 milionë lekë. Fondet më të ulëta do të shkojnë për Qarkun Lezhë 29.6 milionë lekë. Financimi për qarqet mbetet në nivele modeste.
Shpenzimet ekstra
Përpos shpenzimeve që janë të llogaritura në buxhetet e institucioneve, për të cilat janë akorduar edhe fondet, buxheti parashikon si zë më vete edhe disa shpenzime të tjera, të cilat në total janë 206.2 miliardë lekë Kështu, 41.7 miliardë lekë janë vetëm interesat e borxhit. Nga të cilat 24.5 miliardë lekë interesa për borxhin e brendshëm, 12.9 miliardë lekë interesa për borxhin e huaj, dhe 4.3 miliardë lekë janë konsideruar si rezervë. Rreth 8 miliardë lekë janë parashikuar si fond rezervë dhe kontigjence i Këshillit të Ministrave, nga të cilat 2.4 miliardë lekë konsiderohet si fond kontigjence për politika pensionesh, 500 milionë lekë fond i veçantë për pagat, dhe 2 miliardë lekë ruhen si rezervë për rritjen e pagave. Po ashtu, llogariten edhe rreth 51.1 miliardë lekë shpenzime për pushtetin vendor, nga të cilat rreth 25 miliardë lekë janë grant për pushtetin vendor, 17.5 miliardë lekë grant specific nga buxheti i shtetit, dhe pjesën tjetër e përbëjnë të ardhurat e veta nga bashkitë.
Më pak për pensione
Qeveria ka vënë në dispozicion më shumë para që do të shkojnë për indeksimin e pensioneve, ndërsa në total ka ulur fondet për skemën e sigurimeve shoqërore. Referuar buxhetit për vitin 2019, thuhet se transferta nga buxheti për indeksimin e pensioneve parashikohet rreth 2.3 miliardë lekë, vlerë që rezulton në rritje me rreth 600 milionë lekë krahasuar me buxhetin e akorduar gjatë këtij viti. Duke bërë një llogari të thjeshtë, me rreth 650 mijë pensionistë në të gjithë vendin, rritja mbi pensionet aktuale që kanë, do të jetë rreth 350 lekë për vitin e ardhshëm ndërsa transferta për skemën e sigurimeve shoqërore parashikuar në vlerën e 42.2 miliardë lekëve, apo 3 miliardë lekë më pak se ky vit. Po ashtu, qeveria parashikon një buxhet prej rreth 4.2 miliardë lekësh për pensionet suplementare, i cili, rezulton me 300 milion lekë më pak se i vitit aktual. Në total, janë tri kategori që përfitojnë pension pleqërie shtesë për shkak të detyrës së ushtruar. Në njërën prej tyre bëjnë pjesë punonjësit që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësit e lartë të shtetit. Një tjetër kategori që përfiton pension suplementar janë ushtarakët, ndërsa kategoria e tretë përfshin personat që mbajnë tituj shkencorë. Indeksim për pensionet suplementare, llogaritet me një fond prej 140 milionë lekësh nga 125 milion që ka qenë gjatë këtij viti.
Punonjësit sipas institucioneve
Numri i përgjithshëm i nëpunësve në organikë gjatë vitit të ardhshëm është parashikuar të jetë 82 022 veta. Nëse krahasojmë shifrat, vihet re se nuk do të ketë asnjë ndryshim në numrin e përgjithshëm të punonjësve të administratës publike. Por cilat janë institucionet që kanë më shumë punonjës? Sa i përket ministrive, Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë mban rekord për numrin e punonjësve me një total prej 31.089. Më pas renditet Ministria e Brendshme me 14.149 , Ministria e Mbrojtjes me 8966 punonjës, Ministria e Financave dhe Ekonomisë me 5803 punonjës, Ministria e Drejtësisë me 5751 punonjës dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me 4259 punonjës. Këto janë edhe ministritë që kanë numrin më të lartë të të punësuarve, ndërsa Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka më pak të punësuar në raport me të tjerat, në 551 punonjës.
Buxheti sipas ministrive
Ministria e Shëndetësisë 60.9 mld lekë
Ministria e Financave 58.3 mld lekë
Ministria e Infrastrukturës 46.9 mld lekë
Ministria e Arsimit 38 mld lekë
Ministria e Bujqësisë 10.8 miliadrë lekë
Ministria e Mbrojtjes 21 mld lekë
Ministria e Brendshme 20 mld lekë
Ministria e Drejtësisë 12.4 mld lekë
Ministria e Turizmit 2.6 mld lekë
Ministria e Jashtme 3 mld lekë
Ministria e Kulturës 2.1 mld lekë
Bashkitë që marrin më shumë
Tiranë 3.5 mld lekë
Durrës 1.2 mld lekë\
Elbasan 1.1 mld lekë
Shkodër 984 mln lekë
Vlorë 915 mln lekë
Fier 905 mln lekë
Bashkitë që marrin më pak
Pustec 52 mln lekë
Libohovë 71.6 mln lekë
Delvinë 117.6 mln lekë
Tepelenë 155 mln lekë
Finiq 158 mln lekë
Himarë 164 mln lekë
Nga Elisabeta Dosku/ SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.