Buxheti 2020 i Gjermanisë – Rritje e shpenzimeve me 1.7%. Dështon me objektivat në mbrojtje
Plani i buxhetit të Qeverisë Gjermane për vitin 2020, projekton një rritje me 1.7% të shpenzimeve në 362.6 miliardë euro dhe mbështetet te ulja e kostove te ministritë, që të shmanget huamarrja, sipas burimeve të Ministrisë së Financave. Plani supozon se ekonomia më e madhe e Europës do të rritet me 1% në vitin 2019, në rënie nga 1.8% që projektohej më parë. Ministria e Ekonomisë deklaroi javën e kaluar se ekonomia e ka nisur vitin 2019 në ngadalësim, duke u kufizuar nga tregtia dhe kërkesa e dobët për produktet industriale.
Për të balancuar buxhetin, ministritë do të duhet të ulin shpenzimet me 625 milionë euro çdo vit, duke vonuar programe dhe masa të tjera për të shtuar kursimet. Një masë që pritet të shtojë tensionet me presidentin amerikan Donald Trump, është rritja e shpenzimeve ushtarake për vitin 2020, por pa ofruar ndonjë plan për arritjen e objektivave të NATO prej 2% të PBB në mbrojtje. Burimet e ministrisë bënë të ditur se shpenzimet ushtarake do të rriten me 2.1 miliardë euro mbi planin fillestar për vitin 2020, duke shtuar kontributin në mbrojtje në 1.37% të PBB, nga 1.25% që ishte në vitin 2018.
“Fakti që Qeveria gjermane mund të konsiderojë uljen e shpenzimeve ushtarake, që janë aktualisht të papranueshme, përbën një lajm shqetësues për 28 vendet aleate”, tha ambasadori amerikan, Richard Grenell. Shpenzimet në mbrojtje pritet të bien përsëri në 1.25% në vitin 2023, sipas burimeve. Kjo bën që Gjermania të bie poshtë kufirit prej 2% të caktuar nga NATO dhe poshtë 1.5% që ka premtuar vetë deri në vitin 2024.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.