Buxheti afatgjatë i BE-së – Parlamenti përcakton përparësitë, parashikon taksa për disa sektorë
Më 14 mars, deputetët e Parlamentit Europian do të votojnë për pozitën negociatore të Parlamentit për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të BE-së.
Eurodeputetët do të votojnë për një raport të anëtarit polak të PPE Jan Olbrycht dhe të asaj franceze të S&D, Isabelle Thomas, e cila bën thirrje që BE të vazhdojë mbështetjen e saj për politikat e përbashkëta bujqësore, të peshkimit, si dhe për ndihmën për rajonet më të varfra.
Megjithatë, raporti nënvizon gjithashtu se buxheti i ardhshëm afatgjatë, i njohur ndryshme edhe si ‘Korniza Financiare Shumëvjeçare’, duhet të rrisë ndjeshëm fondet për kërkimet, programin popullor Erasmus+, luftën kundër papunësisë së të rinjve dhe mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Financimi i buxhetit të ardhshëm
Buxheti i ardhshëm afatgjatë pritet të fillojë pas vitit 2020 dhe të zgjasë për një periudhë prej të paktën pesë vjetësh. Ky do të jetë buxheti i pari pas tërheqjes së Britanisë së Madhe nga BE-ja. Thomas tha se kjo do të kishte “pasoja serioze” pasi do të jenë në dispozicion 14 miliardë euro më pak.
Parlamenti gjithashtu do të paraqesë propozime lidhur me financimin e buxhetit të BE-së në të ardhmen. Gjatë seancës plenare, deputetët do të votojnë gjithashtu për një raport të anëtarit belg të ALDE Gérard Deprez dhe anëtarit polak të PPE Janusz Lewandowski duke propozuar një reformë se si mund të financohet BE, duke krijuar mundësi të reja për të ngritur fondet e veta.
Këto mund të përfshijnë një taksë mbi të ardhurat e korporatave, taksat mjedisore, një taksë transaksionesh financiare në nivel evropian dhe një taksim të veçantë të kompanive në sektorin dixhital.
Një pjesë e madhe e vendeve të Europës duan që BE të bëjë më shumë për të trajtuar sfidat si terrorizmi, papunësia, mjedisi dhe mashtrimet tatimore.
Për të përmbushur këto shpresa, eurodeputetët duan të rrisin buxhetin e BE-së nga rreth 1% e ardhurave kombëtare bruto në 1.3%. Përveç kësaj, ata gjithashtu duan të krijojnë burime të reja të të ardhurave për BE-në për të zvogëluar mbështetjen e saj në kontributet e shteteve anëtare.
Deputetët do të diskutojnë më 13 mars për buxhetin afatgjatë dhe mundësinë që BE të ketë qasje në burimet e veta dhe do të votojnë nesër pozitën e Parlamentit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.