Buxheti afatmesëm 2019-2021 – Rritja ekonomike mbi 4% do të ndikohet kryesisht nga sektori i shërbimeve
Në tre vitet në vijim rritja ekonomike pritet të jetë mbi 4%. Kontributin kryesor në këtë rritje do ta japë sektori i shërbimeve. Ndërkohë që pritshmëritë janë për një ulje të borxhit publik rreth nivelit 66.4% të PBB-së më 2019-n.
Kjo sipas programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2019-2021. Më konkretisht, rritja ekonomike parashikohet të jetë në nivelin prej 4.3% në vitin 2019. Edhe në dy vitet e tjera, 2020 dhe 2021, ajo parashikohet të vijojë të përshpejtohet marzhinalisht me rreth 0.1 pikë përqindje në çdo vit, respektivisht në 4.4% në vitin 2020 dhe 4.5% më 2021.
Rritja pritet të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi privat ashtu edhe investimet. Investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma realë me mesatarisht rreth 5.3% në vit, me një përshpejtim të lehtë në vitet 2020 dhe 2021, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1.5 pikë përqindje në vit.
Nga pikëpamja e ofertës agregate pritet që të gjithë sektorët kryesorë të vazhdojnë të rriten pak a shumë me të njëjtin trend të mesatares së tyre historike. Megjithatë, për shkak të peshës së tyre ndaj strukturës së ofertës agregate, shërbimet pritet të kontribuojnë më shumë sesa sektorët e tjerë në rritjen e PBB-së.
Eksportet e shërbimeve, veçanërisht, shërbimet turistike, priten që të vijojnë performancën pozitive në periudhën afatmesme. Konsumi final total për periudhën afatmesme parashikohet të rritet në terma realë me mesatarisht rreth 3.1% në vit, duke kontribuar me mesatarisht rreth 2.7 pikë përqindje në vit në rritjen e PBB-së.
Ndërsa Politika fiskale për periudhën afatmesme 2019–2021 synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 1.7% të PBB-së për 2019-n. Ky konsolidim fiskal synon që niveli i borxhit publik si raport ndaj PBB-së të vijojë trajektoren rënëse. Borxhi publik pritet që të bjerë rreth nivelit 66.4% të PBB-së më 2019-n, 63.5% më 2020-n dhe më tej në 59.9% në vitin 2021.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.