Buxheti dhe paketa fiskale 2018 – Miratohen fonde shtesë për disa institucione
Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi në tërësi buxhetin dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm. Gjatë diskutimeve për raportet e komisioneve të tjera u miratuan dhe shtesat e fondeve për disa institucione publike të cilat i kishin paraqitur ato në komisionet respektive. Ndërsa ky komision hodhi poshtë kërkesën e bashkisë së Shkodrës për financimin e disa projekteve.
“Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit të Parave dhe ky institucion i angazhuar mes ligjeve respektive në procesin e Vetingut janë shtuar 7 milionë lekë për të përballuar fluksin e punës që ka atje. Në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme janë marrë parasysh shtesa në shpenzime operative prej 35 milionë lekësh për Projektin e regjistrimit të Shtesave që jetojnë jashtë Shqipërisë. Te Garda e Republikës është marrë parasysh shtesa në organikë dhe mbulimi ka qenë i ezauruar që prej aktit normativ për 50 punonjës që do të jenë të angazhuar apo kanë filluar punë që tani në ruajtjen dhe sigurinë fizike të Komisionerëve të Pavarur të Kualifikimit, të Anëtarëve të Kolegjit të Apelimit të Komisionerëve që merren me procesin e Vettingut.”
Por me debate është shoqëruar mbledhja e komisionit në lidhje me disa nënë të paketës fiskale, sidomos ulja e TVSH për sektorin e hotelerisë me 5 yje, si dhe për ndryshimin e formulës së taksës së pronës.
“Në fakt, ku përjashtoni bizneset ndaj hoteleve me 5 yje duhet të kishit përjashtuar të gjithë pensionistët, të gjithë kryefamiljarët, të gjithë personat e ndihmës së listës ekonomike. Të ishte për ne nuk do ishte rritur fare taksa e pronës. Meqenëse po përmendni deputetë me emër të veçantë, po ju them dhe qëndrimin që kemi Partia Demokratike në përgjithësi për rritjen e taksës së pronës. Për pronën dhe ka qenë me një vlerë për pensionistët pothuajse të papërfillshme. Ndërkohë që tani që po e trefishoni në vlerë, po bëhet e papërballueshme.”
“Ka qenë një taksë për pronën, siç thoni ju, që unë vazhdoj të insistoj se ka qenë taksë për ndërtesën, por jo për pronën. Pa merak, bëjeni akoma më të gjerë se sa kaq. Ka qenë një taksë për ndërtesën që nuk bënte diferencimin midis meje që jam deputet dhe nënës time që është pensioniste dhe paguanin njësoj, edhe unë edhe ajo.”
Projektligji i buxhetit të shtetit dhe paketës fiskale për vitin 2018 pritet të kalojë për miratim në seancën plenare të së enjtes. Pas miratimit ato i kalojnë Presidentit të republikës për dekretim, ndërsa hapi i radhës është ai i botimit në fletoren zyrtare, çka i hap rrugë hyrjes në fuqi më 1 janar 2018.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.