Buxheti i Donald Trump – Reduktime në programet sociale, rritje të shpenzimeve ushtarake
Presidenti Donald Trump propozoi një buxhet në fillim të kësaj jave që synon uljen e shpenzimeve të brendshme dhe në programet sociale si Medicare dhe rritjen e mprehtë të shpenzimeve ushtarake e financimin për murin në kufi me Meksikën.
Gjatë kohës kur kandidonte për president në 2016-ën, Trump premtoi se nuk do t’i prekte programet e sigurisë sociale, por propozimi i tij i ri do të reduktojë shpenzimet për Medicare me 236 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.
Megjithatë, sipas Shtëpisë së Bardhë, reduktimet në shpenzime do të vijnë nëpërmjet reformave në programet e sigurimit shëndetësor për të moshuarit dhe jo nëpërmjet uljes së benefiteve.
Përveç programeve sociale, plani bën thirrje për reduktime të mëdha në shpenzimet jo-ushtarake, që vlerësohet se do të ulë deficitin buxhetor federal me më shumë se 3 trilionë dollarë në 10 vite.
Propozimi i Trump projekton një rritje ekonomike vjetore prej të paktën 3% në tre vitet e ardhshme, që është një objektiv optimist dhe i nevojshëm për të mbuluar koston e 1.5 trilionë dollarëve në ulje tatimore, të kaluar nga Kongresi republikan në Dhjetor.
Propozimi buxhetor prej 4.4 trilionë dollarë i Donald Trump përmban shpenzime në programet ushtarake dhe në mirëmbajtjen e arsenalit bërthamor të SHBA në 716 miliardë dollarë.
Buxheti përfshin gjithashtu 200 miliardë dollarë shpenzime në infrastrukturë dhe 23 miliardë dollarë për sigurinë në kufij, kryesisht në ndërtimin e murit me Meksikën.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.