Buxheti drejt mbylljes me minus/ 11-mujori, bilanc negativ, kontribuon pozitivisht tatimi mbi të ardhurat
Në 11 muajt e parë të vitit në arkën e shtetit janë mbledhur 421.2 miliardë lekë, apo 13.8 miliadrë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, megjithatë duket sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave në raport me mesataren e mbledhjes në çdo muaj, buxhetit i mungojnë afro 25 miliardë lekë.
Ndërkaq, të ardhurat tatimore regjistrohen si 11- mujor në afro 395 miliardë lekë, apo 13 miliardë lekë më shumë se Janar-Nëntor 2018, por me përqindje më të ulët realizmi se viti që lam pas, pavarësisht fushatës antiinformalitet.
Problemi më i madh në mbledhjen e të ardhurave vijon të mbetet TVSH-ja ku për periudhën Janar-Nëntor 2019, janë mbledhur 5.8 miliardë lekë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe në total, regjistrohet 125 miliadrë në lekë.
Sipas tatimeve, shkaku kryesor është rënia e eksportit të energjisë, përjashtimi nga TVSH i nënkontraktorëve të projektit TAP si dhe luhatjet e kursit të këmbimit. Megjithatë të ardhurat nga TVSH janë edhe tregues kryesorë të konsumit në ekonomi.
Me rënie prej 2.4 miliadrë lekë paraqiten të ardhurat nga taksat nacionale dhe të tjera, pasi janë mbledhur 33 miliadrë lekë. Ndërkaq, Tatimi mbi fititmin ka pasur perfomanë në rritje me 2.5 miliadrë lekë krahasuar me vjet, ku janë mbledhur 32.7 miliadrë lekë.
Ndërkaq, Tatimi mbi të ardhurat personale është zëri kryesor që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e të ardhurave, pozitvisht, ku janë vjelur 43.3 miliardë lekë, apo 9.6 miliadrë lekë më shumë se 11-mujori 2018.
Po ashtu, edhe pushteti vendor ka rritur të ardhurat ndjeshëm, me rreth 2.8 miliardë lekë. Sa i takon shpenzimeve kapitale, janë disbursuar 54.5 miliadrë lekë, apo rreth 62 për qind e fondit total, duke ia lënë pjesën më të madhe fundit të vitit, ashtu sikurse ndodhi gjatë 2018-ës.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.