Buxheti i 2019-ës, 17 milionë euro dëm – Raporti i KLSH/ Institucionet publike shkelën ligjin, abuzuan me fondet
Buxheti i shtetit për vitin 2019 është mbyllur me një dëm ekonomik total prej rreth 2 miliardë lekësh apo 17 milionë eurosh. Shifra është publikuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në auditimin e bërë mbi zbatimin e buxhetit të vitit kaluar, ku janë konstatuar shkelje të shumta në fushën e të ardhurave, shpenzimeve buxhetore, prokurimeve, etj. Ndërsa efektet negative në buxhet për shkak të mosefektivitetit në fushën e të ardhurave dhe shpenzimeve, rezultojnë në 84 miliardë lekë.
Raporti i cili ka shkuar për diskutim në Komisionet Kuvendore, vë në dukje se procesi i buxhetimit, rishikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit të tij rezulton të jetë akomodues dhe legjitimues ndaj shkeljeve të disiplinës fiskale nga entet publike, duke mundësuar marrjen e angazhimeve financiare jo në përputhje me kuadrin rregullator në fuqi si dhe krijimin e shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. KLSH vlerëson se jemi në kushtet e mungesës të kredibilitetit të buxhetit. Ndërkaq, stoku i detyrimeve të prapambetura i raportuar nga Ministria e Financave vlerësohet nga KLSH i nënvlerësuar dhe si pasojë këto efekte nuk reflektohen në deficit dhe treguesit e borxhit publik.
KLSH konstaton gjithashtu se nga institucionet buxhetore për vitin 2019, janë ndërmarrë veprime të kundraligjshme, duke përfshirë marrjen e angazhimeve buxhetore pa pasur në dispozicion fondet përkatëse të miratuara, çeljen e fondeve te investimit pa patur projekte përkatëse, përfshirjen e projekteve kapitale në buxhet pa kaluar procesin e Menaxhimit të Investimeve Publike, mosrespektim të radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, buxhetimin e angazhimeve dhe detyrimeve të prapambetura si projekte të “reja”, realizimi i shpenzimeve kapitale me financim te huaj pa plan buxheti.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.