Buxheti i krizës – Opozita e bashkuar kundër buxhetit 2019
“Ekonomia është një pasqyrë e rrugës së gabuar që është ndjekur prej 5 vitesh në të 5 buxhetet e paraqitura nga “Rilindja”. Kështu u shpreh nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku në bashkëbisedimin për buxhetin 2019 me përfaqësues të biznesit, ekspertë e grupe interesi. Sipas Tabakut edhe pse taksat janë rritur, mblidhen vetëm 27.6% e PBB, çka do të thotë se është rritur informaliteti.
“Borxhi Publik ka mbërritur në 83 për qind, sepse kemi një buxhet jashtë buxhetit, për shkak të PPP-ve, që janë jashtë buxhetit dhe jashtë kontrollit. Sistemi bankar është pothuajse në kolaps. Sot akcizat janë rritur me 650 milionë euro. 60 herë ka rritur qeveria ngarkesën fiskale, pra 60 herë ka futur duart në xhepat tuaj. Megjithëse taksat janë rritur, mblidhet vetëm 27,6 % e PBB, çka do të thotë se është rritur informaliteti”, tha Tabaku.
Ndërkohë që deputeti Florion Mima ka denoncuar faktin se qeveria po bëhet gati që të koncesionojë 13.7 miliardë euro.
“Qeveria po bëhet gati të koncesionojë 13,7 miliardë euro. Ajo synon të ngrejë një korporatë publike që synon tjetërsimin e pronave publike. Që të jetë e lirë, qeveria ka parashikuar bile që Korporata, gjatë punës së vet për privatizimet, nuk do të ndjekë rregullat e njohura të ankandit, por do të veprojë me rregulla të miratuara nga bordi”, tha Mima.
Deputeti i LSI Përparim Spahiu, në fjalën e tij është ndalur në krizën e thellë që po kalon sektori i porteve dhe aeroporteve të vendit.
“Para një viti në parlament u kalua investimi për aeroportin e Vlorës, me një shumë investimi prej 40 mln eurosh, shumë që po e shfrytëzojnë veç për 2 km rrugë në Unazën e Re. Mungesa e transparencës për këto investime e koncesione është totale. Edhe më e rëndë është kriza në sektorin e porteve. Volumet e përpunimeve në porte kanë rënë me 80 %”, tha Spahiu.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.