Buxheti i Zgjedhjeve, ja si ndahen 733 milionë lekë për 18 qershorin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të miratojë të enjten buxhetin për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Në total buxheti për këto zgjedhje kap shifrat e rreth 733 milionë lekëve.
Pjesa më e madhe e fondeve do të shkojnë për pagat, rreth 285 milionë lekë. Këtu përfshihen pagat e personelit të përkohshëm të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe shpërblimet për anëtarët e KZAZ-ve, grupet e numërimit të votave etj.
Zërin e dytë në buxhet me pjesën më të madhe të shpenzimeve e zënë shërbimet, me rreth 254 milionë lekë. Këtu përfshihen shpenzime për transportin, udhëtime dhe dieta, njoftime, qiramarrje etj.
Ndërsa rreth 193 milionë lekë do të shkojnë për materialet zgjedhore brenda dhe jashtë vendit, si fletët e votimit dhe prodhime të tjera specifike. Miratimi i buxhetit të zgjedhjeve vjen pak javë pasi KQZ miratoi strukturën e shpenzimeve buxhetore për institucionin me vlerën e 139 milionë lekëve.
Buxheti për zgjedhjet u shqyrtua në mbledhjen e kaluar, por kreu i KQZ-së, Denar Bisha, e shtyu miratimin në tërësi të tij për shkak disa mungesave që u konstatuan në relacionin përkatës.
Florenc Drizari/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.