Buxheti në Kuvend – Rama: Jemi optimistë! Basha: Buxhet i varfërisë së shqiptarëve
Buxheti dhe paketa fiskale 2018 u prezantuan në Kuvend nga Kryeministri Edi Rama. Sipas tij ky buxhet paraqet shifra optimiste të cilat do të bëjnë që në vitin 2018 vendi të ketë një rritje me rreth 4%. Rama duke prezantuar buxhetin është ndalur në reduktimin e borxhit me 2.5%, me shpërndarjen e ndihmës ekonomike të rritur edhe në 9 qarqet e tjera të vendit. Një rëndësi e veçantë në buxhetin dhe paketën fiskale 2018 i është kushtuar edhe taksimit të pronës si dhe përjashtimit nga taksat për sektorin e peshkimit.
Pushteti vendor do të arrijë që të sigurojë në vlerë nominale rreth 3 miliardë lekë nga kalimi si e ardhur e 2% të tatimit mbi te ardhurat personale. Ndërkohë që përveç projektit një miliardë euro për rindërtim i cili ka nisur me rrugën e Arbrit, buxheti parashikon edhe rreth 8 miliardë lekë për investime.
Por edhe pse qeveria e vlerëson si një buxhet i cili do të sigurojë një rritje të ekonomisë së vendit, opozita nuk është optimiste. Sipas kreut të PD, Lulzim Basha, ky buxhet do të varfërojë më tepër shqiptarët. Përfshirja në skemën e TVSH-së për rreth 100 mijë biznese të vogla do të bëjë që shumë prej tyre të falimentojnë. Ndërkohë që projektin një miliardë euro për rindërtim Basha e ka vlerësuar si një mënyrë që shteti të pastrojë para.
Buxheti i vitit 2018 parashikon të ardhurat në vlerën e 464 292 miliardë lekë , shpenzimet në vlerën e 496 658 miliardë lekë dhe deficitin 32 366 miliardë lekë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.