Buxheti për librat falas. Zgjerimi i listës së përfituesve rrit fondet në 800 milionë lekë
Ministria e Arsimit ka parashikuar rritje të fondit për blerjen e teksteve shkollore për vitin e ardhshëm . Shuma e parashikuar të shpenzohet nga buxheti i kësaj ministrie për të siguruar tekstet shkollore në përdorim falas për nxënësit, arrin deri në 800 milion lekë nga 600 milion që ishte në vitin 2020. Kjo rritje vjen si nevojë e shtuar e zgjerimit të listës së përfituesve për librat në përdorim falas, ku ndryshe nga një vit më parë, që përfituesit ishin nxënësit deri në klasën e katërt, tashmë libra në përdorim falas do të ofrohen dhe për nxënësit e klasave të 5-ta dhe të 6-ta. Sipas Ministrisë së Arsimit nga këto fonde pritet të përfitojnë 230 deri në 250 mijë nxënës në total, përfshirë ata në arsimin para-universitar nga shtresat sociale në nevojë.
Rritje të fondeve nga buxheti i ministrisë së arsimit janë parashikuar të financohen edhe për të mbuluar shpenzimet për bursa, kuotë ushqimore të nxënësve me nevoja të vecanta si dhe fëmijëve që rrezikojnë të mos arsimohen , me ndikim në uljen e braktisjes shkollore, shuma parashikuar është 70 milion lekë më një rritje prej 40% krahasuar me një vit më parë ku do të përfitojnë rreth 1300-1400 nxënës të arsimit para-universitar nga shtresat sociale në nevojë.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.