Buxheti për mjedisin – Investimet do të ulen me 1.6 miliard lekë
Edhe pse buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm parashikohet të jetë me 29 miliardë lekë më shumë, ajo që vihet re është ulja e fondeve sa i takon mbrojtjes së mjedisit.
Ndryshimi më drastik në buxhetin e vitit 2018 në fakt i përket Mbrojtjes së Mjedisit, për të cilën parashikohen më pak se gjysma e fondeve se sa viti aktual. Investimet për mbrojtjen mjedisore sipas draftit të mbërritur në kuvend do të ulen me 1.6 miliard lekë, duke bërë që buxheti total të bjerë me 57%.
Lidhur me këtë, televizioni SCAN ka kontaktuar me ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit e cila ka prioritet kryesor mbrojtjen e pasurisë kombëtare me një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin e turizmit. Por nuk ka pasur asnjë reagim.
Buxheti i vitit 2018 llogarit 496 miliardë lekë shpenzime, ose 29 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar.
Në draftin e mbërritur në kuvend vihet re se kjo shtesë është shpërndarë në 9 nga 10 funksionet e shtetit për të cilët ka shtesa që variojnë nga 200 milionë deri në 10 miliardë lekë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.