Buxheti i Tiranës – Relacioni: Të ardhurat rriten me 8%, 16 mld lekë shpenzime
Bashkia e Tiranës parashikon për vitin 2018 një rritje prej 8% të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, në krahasim me vitin 2017. Sipas relacionit që shoqëron projektbuxhetin, i cili do të diskutohet në mbledhjen e datës 21 dhjetor, niveli i të ardhurave parashikohet në rreth 15 miliard lekë, ku pjesën më të rëndësishme e mban taksa e pasurisë me 18% të të ardhurave.
Me ndryshimet e fundit ligjore, të cilat marrin efekte nga data 1 Prill e vitit 2018, taksa e ndërtesës do të marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave dhe përqindja e caktuar për masën e taksës, si për banesat dhe objektet e biznesit. Ndërsa pritet që nga vjelja e saj të sigurohet rreth 2.5 mld lekë. Një tjetër taksë, që pritet të sigurojë rreth 50 milion të ardhura është ajo mbi tokën bujqësore, ndërsa nga taksa mbi truallin parashikohet të realizohen 60 milion lekë.
Një peshë të rëndësishme në të ardhurat e bashkisë zë edhe tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël, ku sipas parashikimeve pritet të mblidhen rreth 170 milion lekë. Për herë të parë këtë vit, në buxhetin e bashkisë do të reflektohet edhe tatimi mbi të ardhurat personale, ku në favor të pushtetit vendor do të kalojë 2% e totalit të të ardhurave nga tatimi.
Po ashtu, nga taksa e tabelës, e cila për vitin 2017 ka shënuar rritje në masën 40% në vjeljen e saj, pritet të sigurohen rreth 510 milion lekë. Të tjera të ardhura pritet të sigurohen edhe nga tarifa e pastrimit, tarifa për zënien e hapësirave publike, tarifa e parkimit, etj. Në vitin 2018, edhe masa e transfertës së pakushtëzuar për Bashkinë e Tiranës është rritur me 12%, duke arritur vlerën 2,1 miliard lekë.
Ndërkaq, shpenzimet për vitin 2018 parashikohen në masën 16 miliard lekë, ku shpenzimet kapitale zënë 43% të totalit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.