Buxheti “vjel” bizneset dhe punën – 11-mujori, tatim-fitimi dhe Tap tejkalojnë planin
Ministria e Financave ka pasur performancë pozitive në mbushjen e arkës së shtetit me të ardhurat nga tatim-fitimi mbi bizneset dhe tatimi mbi të ardhurat personale për të punësuarit, duke tejkaluar planin. Referuar treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat nga “Tatimi mbi Fitimin” janë realizuar në vlerën 30.2 miliardë lekë, me rritje 9.2% ose 2.5 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe realizim në masën 100.3% të planit.
Po ashtu, të ardhurat nga “Tatimi mbi të Ardhurat Personale” janë realizuar në vlerën 33.7 miliardë lekë, me rritje 4.2 miliardë lekë më shumë se 11-mujori i vitit 2017 dhe ose 217 milionë lekë më shumë krahasuar me planin. Financat argumentojnë se krahasuar me 11-mujorin e vitit të kaluar, të ardhurat nga të punësuarit e sektorit publik dhe sektorit privat, janë rritur ndjeshëm, si rezultat i rritjes së numrit të kontribuuesve aktiv krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjithashtu edhe të ardhurat nga dividendi kanë shënuar rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Me tejkalim plani me rreth 300 milion lekë paraqitet edhe zëri taksat kombëtare. Ndërkaq, në 11 muaj të ardhurat e përgjithshme në buxhet u realizuan në vlerën 407.4 miliardë lekë, me rritje 4.3% ose 17 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe realizim kundrejt planit të periudhës në masën 97%.
Ndikim pozitiv ka pasur akzica nga karburanti, renta minerare, si dhe të ardhurat nga TVSH janë realizuar në masën 98 për qind të planit pavarësisht goditjes që ka dhënë kursi i këmbimit. Ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e 11 të vitit, arritën në rreth 408.7 miliardë lekë me një realizim në masën 93.5 për qind të planit të periudhës.
Elisabeta Dosko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.