Çako në konferencë për mediat: Ja masat që mori Policia e Shtetit para dhe pas procesit zgjedhor
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako në konferencë për shtyp foli për masat që ka marrë policia e shtetit gjatë procesit zgjedhor. Konkretisht sipas Çakos, “Policia e Shtetit mori një sërë masash organizative dhe strukturore para dhe pas procesit zgjedhor, ku u përcaktuan koordinatat e punës së policisë së shtetit. Me mbështetjen e misionit të OSBE në Shqipëri, 7040 punonjës u trajnuan dhe u pajisën me librin e xhepit. Nga 26 Maji deri në 23 qershor 2017 nga strukturat e policisë u përballua një ngarkesë e fuqishme.”
Sa i takon procedimeve penale, Çako u shpreh se janë trajtuar dhe po hetohen 44 vepra penale që prekin procesin e zgjedhjeve, si dhe u proceduan 87 persona, 13 të arrestuar, 67 në gjendje të lirë, 7 në kërkim.
“ Më 25 qershor janë trajtuar dhe po hetohen 25 procedime penale. Për këto procedime janë evidentuar 27 autorë, 7 të arrestuar, 10 ndiqen në gjendje të lire dhe 10 në kërkim. Nga 26 Maji deri 25 Qershor janë evidentuar 69 vepra penale që prekin zgjedhjet, të cilat i janë dërguar prokurorive në rrethe. Janë kryer rreth 114 procedime penale me 20 të arrestuar, 77 ndiqen në gjendje të lirë, 17 në kërkim. Gjatë marrjes së kutive të votimit dhe shpërndarjes nuk u shënua asnjë incident”.
Çako u shpreh se u kërkua ndërhyrja e policisë në 190 raste, por sipas tij uniformat blu kanë ndërhyrë në 72, në raste të tjera është zgjidhur nga komisionerët.
“Ndërhyrja në KZAZ, u kërkua ndihma e policisë në 3 raste. Ndërhyrjet e policisë në qendrat e votimit ka qenë profesionale. U vu në zbatim një program elektronik për menaxhimin e masave policore.”
Sa i takon hetimeve disiplinore përfshirë edhe drejtuesit e policisë në tre komisariate, Cako u shpreh se: “Janë kryer 5 hetime disiplinore, 3 të nisur pas kërkesës së ministrit të Brendshëm për shefat e policisë në Pukë, Gramsh dhe Dibër. Nga verifikimet e kryera nga drejtoria e standardeve ata kanë kryer detyrën konform ligjit. Është arrestuar një punonjës policie në drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit në Durrës, ka nisur edhe një hetim disiplinor për një punonjës policie në Drejtorinë e Policisë Shkodër.”
Sa i takon ngjarjeve në KZAZ në Kavajë, Çako shprehet se “ KZAZ-ja në Kavajë ndjek dy procese zgjedhjesh. Ka një ngarkesë më të madhe qoftë në kohë por edhe në planin e masave, nuk ka asnjë situatë të jashtëzakonshme në Kavajë. Vijon normalisht procesi i numërimit të votave.”, pohoi Çako.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.