Carl Skau në ‘PASSPORT’: Në Suedi ka imazh pozitiv për Shqipërinë
Ish ambasadori i Suedisë në OKB dhe pjesë e grupit negociues për krizën në Venezuelë, Carl Skau në një intervistë ekskluzive në emisionin ‘PASSPORT’ të gazetarit Arbër Hitaj në ‘RTV SCAN’, është shprehur se në Suedi ka një përshtypje shumë të mirë për Shqipërinë dhe prandaj vendi shihet si një partner i Suedisë në çështje ndërkombëtare dhe rajonale. Zoti Skau foli për rëndësinë që do të ketë prania e Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë, gjë që pritet të ndodhë në periudhën 2020-2021 dhe ndikimin pozitiv që do të ketë në botë prania e Shqipërisë në Këshill. Më tej ai vlerëson se Shqipëria ka institucione shumë më të forta se vende te tjera, por duhet ende kohë të krijohet besim dhe një demokraci e shëndoshë. Më poshtë gjeni intervistën e plotë.
Si e njihni Shqipërinë?
Unë kam kaluar pothuajse 9 vite në OKB. Kam punuar ngushtësisht me ambasadorët e Shqipërisë atje, dhe nëpërmjet tyre kam njohur edhe Shqipërinë. Gjithashtu si një shtet evropian kam dëgjuar shumë. Ka një përshtypje dhe perceptim shumë të mirë për Shqipërinë në Suedi. Së fundmi kemi edhe një shqiptare që u zgjodh në Suedi, si anëtare e re Parlamentit Evropian. Pra ekzistojnë lidhje të ngushta mes nesh.
Ju keni përfaqësuar vendin tuaj edhe në Komisionin Evropian, pra keni edhe njohuri shumë të mira për institucionet e BE-së. Një çështje që mbetet kryefjalë në Ballkan është krijimi i institucioneve të forta. Pse vjen kjo në mendimin tuaj?
Unë kam punuar më shumë në Afrikë dhe në Amerikën Latine, kështu që nuk kam një informacion të plotë për rajonin. Por ajo që di unë është se institucionet këtu janë shumë më të forta se në shtete të tjera, por jo si në disa shtete perëndimore apo si në Suedi. Sepse ju jeni një shtet i ri dhe duhet kohë që të ndërtohen institucione me kapacitete të mjaftueshme, por gjithashtu kërkon kohë dhe krijimi i besimit të qytetarëve tek këto institucione. Kështu që ne jemi optimist dhe besoj se vendi do të ketë perspektivë të qartë evropiane në të ardhmen.
Ju gjatë prezantimit tuaj, folët edhe për rëndësinë që ka pjesëmarrja e një shteti të vogël si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit. Mund të thoni diçka më shumë duke pasur parasysh edhe eksperiencën tuaj, pse është kaq e rëndësishme kjo për Shqipërinë? Mund t’ia dalim me sukses që ta marrim?
Jam i sigurt se ju do ja dilni shumë mirë. Ju e keni filluar shumë shpejt fushatën, që në 2007-ën, dhe jeni kandidatura e vetme për këtë rajon për të qenë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB. Deri tani keni zhvilluar edhe një fushatë të mirë. Dhe kur them fushatë të mirë kam parasysh ndërtimin e raporteve shumë të mira me 193 shtetet që janë pjesë e OKB-së. Kjo shkon përtej faktit që do të bëheni anëtarë të Këshillit, kjo do të thotë të bëheni “brand”, dhe gjithë këtë raport të ndërtuar mund ta përdorni për politikën tuaj të jashtme, për të promovuar tregtinë, ekonominë etj. Të jesh pjesë e Këshillit të OKB-së, do të thotë të krijosh një impakt të ri në botë, sepse nuk duhet harruar që OKB-ja është në qendër të diplomacisë botërore. Pra është një mundësi e madhe por gjithashtu edhe përgjegjësi. Për shtete si puna jonë bazimi në ligjet dhe institucionet ndërkombëtare vjen si vija jonë e parë e mbrojtjes. Dhe janë principe që duhet t’i mbrojmë sepse në disa rajone të tjera janë në rrezik.
Ju në përgjigjen tuaj përmendët edhe fjalën përgjegjësi. Çfarë doni të thoni? A keni një këshillë, ç‘duhet të kemi kujdes ne si një shtet i vogël, duke qenë se ju e keni kaluar këtë eksperiencë?
Nga eksperienca jonë nuk ndodhi ajo historia që e dëgjojmë shpesh, që shtetet e mëdha, pra anëtarët e përhershëm vendosin, dhe shtetet e zgjedhura janë vetëm për të dëgjuar. Ka shumë diferenca mes anëtarëve të përhershëm dhe kjo i jep mundësinë shteteve të zgjedhura, si Suedia apo Shqipëria që të ndërmarrin iniciativa të ndryshme për të marrë një rol më të madh. Mandati është 2 vjeçar dhe besoj se ju do te keni mundësinë të keni impakt në këtë periudhë. Por përfitimet shkojnë përtej asaj, ju do të krijoni një kontakt më të madh me fuqitë e mëdha për çështje të ndryshme që mund të keni. Por gjithashtu do të krijoni një imazh pozitiv, jo vetëm për diplomatët në Nju Jork, por edhe për shoqërinë tuaj. Gjithashtu mund t’ju ndihmoj që të jeni një lojtar i rëndësishëm edhe në arenën ndërkombëtare.
Ju keni një eksperiencë të gjatë në disa rajone në botës, dhe aktualisht jeni duke punuar për situatën në Venezuelë, pse është kaq problematike gjendja atje?
Po unë jam duke punuar për situatën në Venezuelë tani. Venezuela ka një histori të gjatë, s’mund ta shikosh vetëm nga janari i këtij viti kur shpërtheu kriza që kemi tani. Por mendoj se sfida në këto momente është të sjellim bashkë faktorin ndërkombëtar për të negociuar një zgjidhje që më pas do të pasojë edhe zgjedhje të reja. Kjo është ajo që po synojmë tani. Jemi duke punuar ngushtësisht me kolegët tanë norvegjez të cilët kanë një ekip në terren që komunikon me të dyja palët, qeverinë dhe opozitën. Po synojnë që t’i sjellin të dyja palët në Oslo për bisedime. Dua t’i falenderoj vëllezërit dhe motrat tonë në Norvegji, që po bëjnë një përpjekje të madhe për të bashkuar komunitetin diplomatik për këtë çështje. Siç besoj edhe ju e dini, Venezuela është bërë në një patate e nxehtë gjeopolitike, mes Rusisë dhe SHBA, dhe disa shteteve të tjera që kanë interes në rajon. Ne jemi duke komunikuar në mënyrë aktive me të gjitha shtetet, si Rusia, Kina, Kuba, apo edhe Shtetet e Bashkuara, Brazilin dhe Kolumbinë për t’i bashkuar në një tryezë bisedimesh dhe për të gjetur një zgjidhje drejt zgjedhjeve. Sepse është shumë e rëndësishme që të ketë edhe mbështetje nga faktori ndërkombëtar, pa të cilin çdo marrëveshje mund të mos respektohet dhe të hidhet poshtë.
Duke parë CV-në tuaj e cila ishte shumë mbresëlënëse në fushën e diplomacisë, ju keni dhe eksperiencë në Afrikë. Pse është e vështirë demokracia në këtë kontinent?
Siç e thashë, shtetet e Ballkanit janë të reja, shtetet në Afrikë po ashtu. Të ndërtosh demokracinë dhe të krijosh institucione të forta kërkon kohë. Suedia fatmirësisht ka qenë jashtë 2 luftërave botërore të shekullit të kaluar dhe pati periudhën e nevojshme për të forcuar demokracinë, shoqërinë dhe institucionet. Por këto shtete e kanë filluar më vonë këtë rrugë. Por pavarësisht kësaj, ka shumë shembuj pozitivë në Afrikë, por është gjithashtu e vërtetë se ka shumë sfida aty. E rëndësishme është që Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë prezente në këto shtete dhe i asistojnë ato që të forcojnë institucionet dhe të qëndrojnë në këmbët e veta në aspekte që lidhen me ekonominë, sikurse forcimi i shkëmbimeve tregtare.
Kam ndjekur në intervistat tuaja, që i keni kushtuar vëmendje edhe situatës në Mianmar. Po Azia si paraqitet?
Ne në Këshillin e Sigurisë e kemi ndjekur si evoluoi situata në shtetin e Rakait, dhe nëse kam një keqardhje për atë që nuk bëmë dot më shumë kur ishim në Këshill, ishte pikërisht kjo. Ka shumë njerëz që jetojnë në varfëri ekstreme në Bangladesh. Ishte e vështirë të sillnim Këshillin në një mendim, për shkak të interesit të lartë që kishte Kina, por edhe pjesërisht sepse disa shtete nuk mundën të punonin bashkë. Këshilli nuk ishte në gjendje të parandalonte këtë krizë humanitare. Tani Këshilli duhet të shtyjë akoma më shumë për një zgjidhje, për të përcaktuar kushte paqeje për këta refugjatë. Por padyshim është një çështje e vështirë që do të kërkojë kohë.
Do doja ta mbyllim me një koment për zgjedhjet në Parlamentin Evropian.
Unë nuk mund të jap një koment për to. Por mendoj se Parlamenti Evropian për ne është shumë i rëndësishëm dhe ajo që do të dëshiroja të shikojmë është një Bashkim Evropian të fortë në mënyrë që të punojmë së bashku, sidomos në siguri dhe politikë të jashtme. Ne tani drejtohemi nga zonja Federika Mogerini dhe presim që në fund të këtij viti të njohim edhe përfaqësuesen e re. Ne si Suedi, i përmbahemi nevojës për të rritur zërin e përbashkët evropian dhe politikën tonë të jashtme si Union. Gjithashtu e shikojmë Shqipërinë si një partner për të forcuar këtë zë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.