CDC rekomandon vaksinat Moderna dhe Pfizer në vend të Johnson & Johnson!
Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve rekomandoi të enjten që amerikanët të zgjedhin një nga dy vaksinat e autorizuara për COVID-19 në vend të vaksinës e Johnson & Johnson, për shkak të rasteve të rralla por ndonjëherë fatale të mpiksjes së gjakut.
Lëvizja e CDC erdhi pasi Komiteti i saj Këshillimor për Imunizimin votoi unanimisht për të bërë rekomandimin në favor të vaksinave të prodhuara nga Moderna dhe Pfizer.
Më pak amerikanë kanë marrë vaksinën J&J sesa dy vaksinat e tjera me një diferencë të konsiderueshme. Nga më shumë se 200 milionë njerëz të vaksinuar plotësisht në Shtetet e Bashkuara, rreth 16 milionë kanë marrë vaksinën e J&J, sipas të dhënave të CDC.
J&J tha në një deklaratë se siguria dhe mirëqenia e atyre që përdorin vaksinën e tyre është prioriteti kryesor i saj dhe se mezi pret të punojë me CDC në hapat e ardhshëm. Rastet e trombozës e cila përfshin mpiksjen e gjakut të shoqëruar nga një nivel i ulët i trombociteve, janë raportuar edhe më parë tek marrësit e vaksinës J&J. Normat më të larta të raportimit janë te gratë nën 50 vjeç.
CDC tha se shkalla e incidenteve të tilla është më e lartë se sa ishte vlerësuar më parë, si te femrat ashtu edhe te meshkujt. Agjencia ka identifikuar më shumë se 50 raste të tilla në SHBA, rreth 3.83 raste për një milion doza të administruara.
Të paktën nëntë persona kanë vdekur pas incidenteve të koagulimit të gjakut në Shtetet e Bashkuara, ka thënë CDC. Anëtarët e panelit thanë gjithashtu se vaksina e J&J është më pak efektive në parandalimin e COVID-19 sesa dy vaksinat e tjera të autorizuara. Sipas tyre vaksina e J&J përdor një teknologji të bazuar në një version të modifikuar të një adenovirusi për të nxitur imunitetin tek marrësit, ndërsa dy vaksinat e tjera të autorizuara përdorin teknologjinë e ARN-së.
Si pasojë e këtij vendimi aksionet e J&J u mbyllën me rreth 1 % në bursën e Nju Jorkut. Kompania e shet vaksinën me një çmim jofitimprurës, kështu që nuk ka qenë një nxitës i rëndësishëm i të ardhurave për të. Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.