Ç’do t’i sjellë ekonomisë 2019, viti me zgjedhje në mes
Hymë në një vit të ri që pason një dhjetor të trazuar social e politik. Kjo e bën shumë më të vështirë përcaktimin qoftë edhe në vija të trasha të një perspektive të zhvillimit ekonomik e financiar për 12 muajt në vijim. Megjithatë, bazuar edhe në fjalën e ekspertëve viti që sapo kemi nisur nuk parashihet të jetë “as i bardhë e as i zi, por thjeshtë gri”. Duke marrë në konsideratë zhvillimet e gjysmës së dytë të 2018, tashmë mund të vizatojmë sado që në mënyrë të përgjithshme atë që pritet të ndodhë, dhe zhvillimet që mund të ndikojnë klimën ekonomike të këtij viti. Luhatjet në tregun valutor, rënia e vazhdueshme e euros mund të klasifikohet si pasiguria e parë në marrjen e vendimeve, ndonëse efektet mund të jenë të dyanshme. Po ashtu me shumë ndikim për ekonominë e financiar pritet të jetë edhe faktori politik.
Zgjedhjet lokale mund të impaktojnë sektorë të ekonomisë dhe shenjat e rrezikut për këtë janë dhënë. Kjo mund të nxisë edhe më tej ashtu si edhe shumë faktorë të tjerë edhe emigracionin që tashmë është kthyer në një shqetësim madhor jo vetëm për bizneset por edhe për ekonominë në përgjithësi. Ndonëse planifikimet e qeverisë për rritjen ekonomike janë optimiste, kjo duhet partë edhe me dyshimin që sjell rënia e pritshme për shkak të pakësimit të investimeve të huaja të mëdha. Ndërkohë që një faktor pasigurie vijon të jetë energjia. Ngurtësimi i çmimit të karburanteve apo edhe tekat e motit që ndikojnë normalitetin në prodhimin e energjisë elektrike e bëjnë këtë vit jo fort të parashikueshëm. Por 2019 nuk mund të shikohet vetëm si pengu i pasigurive. Në konsideratë duhen marrë edhe faktorë pozitivë të tillë si p.sh. fakti që këtë vit për herë të parë nuk ka shtim të ngarkesës fiskale, përkundrazi ka lehtësim përmes rritjes së kufirit të biznesit të madh nga 8 në 14 milionë lekë, që sjell automatikisht ulje të tatim fitimit nga 15% në 5% për bizneset e kësaj fashe.
Parashikimet për rritjen ekonomike
Parashikimet e qeverisë për rritjen ekonomike, mbi të cilat është ndërtuar edhe buxheti i këtij viti janë optimiste. Arben Ahmetaj, ministri i Financave dhe Ekonomisë në ikje, u shpreh në fillim të janarit se gjatë këtyre tre viteve kur ai ka drejtuar këtë dikaster, vendi ka shënuar rritjen ekomomike më të lartë në rajon dhe se ekonomia e Shqipërisë në 5 vitet e fundit ka shënuar vetëm rritje. “Në 9-mujorin e vitit 2018 rritja ekonomike e Shqipërisë është 4,35 për qind dhe tre mujori i tretë i vitit 2018 është 4,45 për qind, që është më e larta në rajon”, tha Ahmetaj. Por përballë optimizmit të Ahmetajt, Banka e Shqipërisë është më e kujdesshme kur flet për këtë temë.
Këtë e konfirmoi edhe Guvernatori Sejko i cili ka folur për kthim të ekonomisë “në ekuilibër” në gjysmën e parë të këtij viti. Çfarë do të thotë kjo? Ekuilibri nënkupton një rritje ekonomike reale 4 për qind në vit me normë inflacioni rreth 3 për qind. “Përmirësimi i aktivitetit ekonomik në vend e ka sjellë ekonominë shqiptare më pranë ekuilibrit, e ilustruar kjo nga rënia e normës së papunësisë dhe nga tendenca rritëse e shkallës së shfrytëzimit të kapaciteteve nga biznesi. Megjithatë, ekonomia shqiptare vazhdon të operojë ende poshtë potencialit, çka vijon të frenojë presionet për rritje të pagave dhe të kostove të prodhimit,” është shprehur guvernatori Gent Sejko.
Ndërkohë që për rritjen ekonomike shqiptare ende më pak otimiste janë institucionet ndërkombëtare. E kur flitet për to, parashikimi bazë është ai që bën FMN dy herë në vit. Në raportin e “Pasqyrës Ekonomike Globabe”, të tetorit të vitit që lamë pas FMN ndonëse flet për “ritme të mira rritjeje” të ekonomisë shqiptare, për 2019-ën prognoza e ka për 3.7 për qind, një shifër e korrigjuar në ulje ndaj të së njëjtës shifër të botuar në raportin e muajit prill 2018, kur ishte parashikuar një rritje e PBB-së shqiptare në masën 3.8 për qind. I mbetet kohës që të përcaktojë se çfarë do të ndodhë në të vërtetë, por ajo që mund të thuhet dhe pranohet me zë ose në heshtje nga të gjithë është se ekonomia e Shqipërisë edhe përgjatë vitit 2019 do të ketë një rritje shumë më të ulët se potencialet që ajo ka.
Rënia e euros
Tregjet janë vënë përballë pasigurive të reja. Zhvlerësimi i vazhdueshëm i monedhës së përbashkët europiane, pritet të sjellë pasoja si në sjelljen e aktorëve të tregut ashtu edhe në planifikimet e investimeve dhe ambicieve për zgjerim. Bazuar në shifrat zyrtare efektet e zhvlerësimit të euros janë ndjerë që vitin e kaluar. Gjatë vitit 2018 një goditje prej rreth 10 miliardë lekë ka pësuar buxheti i shtetit. Endë më të dëmtuara kanë qenë bizneset eksportuese. Trendi parashikohet të jetë rrezik për këto biznese dhe për ekonominë edhe gjatë vitit 2019. “Praktikisht sot, të gjithë bizneset që punojnë me euro, kanë një humbje jo të fitimit, por një humbje të të ardhurave, në nivelin diku tek 14-15 për qind.
E përkthyer në normat e fitimit të para një viti, do të thotë se praktikisht fitimi i tyre është zeruar”, shprehet Alban Zusi, Drejtor i “Albanian Food Industry”, njëkohësisht Kryetar i Shoqatës së Ekportuesve. Ndërsa Sajmir Bidaj i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, shprehet: “Pasojat e rënies së euros me rreth 9% brenda vitit 2018 kanë çuar në zhvlerësimin e faturimeve bruto të sektorit me 9%. Ne tani jemi në kushtet që jemi duke punuar pa fitim”. Dy drejtimet e përmendura më lart që kanë të bëjnë me efektet më të ndjeshme negative të rënies së euros janë vetëm njëra anë e medaljes. Nga ana tjetër zhvlerësimi i monedhës europiane ka sjellë lehtësim si për buxhetin ashtu edhe për aktorët e tregjeve. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave rënie e ndjeshme e euros ka ulur borxhin publik të Shqipërisë me 1.5 deri në 2% të Prodhimit Kombëtar.
Kështu pavarësisht se ka ulur të ardhurat nga taksat, zhvlerësimi i ndjeshëm i euros ndaj lekut është një frymëmarrje goxha e madhe për financat e shtetit. Ndërkohë që përfitime kanë marrë dhe vijojnë të marrin të gjithë qytetarët e bizneset që paguajnë kreditë në euro. Zhvlerësimi i saj ka dhënë frymëmarrje në pagesat e kësteve të kredive. Po ashtu të dhënat e fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë kanë treguar se zhvlerësimi i euros ndaj lekut nuk e ka zbehur besimin që shqiptarët kanë tek monedha europiane. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar, depozitat në euro u rritën me gati 9.5 për qind duke kapërcyer për herë të parë shifrën 4 miliardë euro.
Efekti i zgjedhjeve vendore
Para se të caktonte datën e zgjedhjeve, Presidenti Meta tha se kishte marrë një letër nga shoqata e operatorëve turistikë ku kërkohej që zgjedhjet të bëheshin sa më shpejt që ishte e mundur. Pra është e tepërt të thuhet se këto biznese presin që zgjedhjet të ndikojnë në ecurinë e tyre. Fushatat “i mbajnë të lidhur” pushuesit çka do të thotë se ky sektor do të ketë më pak biznes. Por ndikimi nuk është vetëm aq. Kur flitet për stabilitet politik, e gjithë ekonomia është në pritje të rreziqeve. Ndonëse në terma të buxhetit mund të ketë një përshpejtim apo shtim të fluksit të investimeve, shkrehja e administratës dhe vënia e saj në shërbim të fushatës elektorale japin një kosto të madhe në mbledhjen e të ardhurave të planifikuara nga sektorët e doganave e tatimeve. Ndërkohë që përvoja ka treguar se pas zgjedhjeve edhe investimet bien.
Po ashtu nga këndvështrimi i investitorëve dhe projekteve të huaja: në periudha elektorale një vend i paqëndrueshëm e me demokraci të re, si Shqipëria, risku politik i mundshëm përkthehet në hezitim për projektet e reja me konceptin “të shohim çfarë do të ndodhë”. Edhe në aspektin e investimeve private ka ngadalësim të ritmeve për zgjerimin e projekteve ekzistuese. Ndërsa biznesi i vogël dhe i mesëm duke qenë të ndjeshëm më shumë si votues, po ashtu është në pritje të një rezultati nga zgjedhjet çka do të thotë se ka një farë frenimi. Ndërkohë vetë zhvillimi i fushatës, që është një investim më vete, me zyra, njerëz, struktura të administratës të angazhuar në aktivitete politike shmang vëmendjen nga ekonomia dhe e dëmton atë.
Prodhimi dhe çmimet e energjisë
Energjia është përcaktuese për parashikimet e ekonomisë, dhe viti 2019 s’ka përse të bëjë përjashtim për këtë. Por ndryshe nga se ndodh me drejtimet e tjera kryesore që merren në shqyrtim, zhvillimet nga energjia kanë një horizont pozitiv. Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar për vitin 2019, çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë dhe për klientët e tjerë me pakicë, që furnizohen në tregun e rregulluar. Qytetarët do të vazhdojnë ta paguajnë 9.5 lekë për çdo kilovat orë; bizneset 14 lekë për kilovat orë; kurse furrat e bukës 7.6 lekë për kilovat orë. Ky është një sinjal vërtet pozitiv, por që do të ketë një fund pasi në planin strategjik të reformimit për sektorin energjetik, qeveria planifikon rritjen e çmimeve të energjisë për shumë konsumatorë duke filluar nga viti 2020.
Ndërkohë përveç energjisë elektrike edhe nga tregu ndërkombëtar i karburanteve fundi i vitit të kaluar ka sjellë lajme të mira. Sipas të dhënave nga dogana çmimi i zhdoganimit të naftës diessel me përmbajtje 10 ppm, ka rënë me rreth 8 lekë për litër, ndonëse pasqyrimi në tregun me pakicë nuk ka qenë i njëjtë. Megjithatë viti ka nisur me një tendencë në rënie çka do të thotë lehtësim si për ekonominë ashtu edhe konsumatorët e tjerë.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.