Çelen fondet për sipërmarrjet për vitin 2018 – Sektorët, kriteret dhe afati i fundit për aplikim
Në kuadër të mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion katër skema financiare të menaxhuara nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) për vitin 2018. Përmes tyre synohet rritja e konkurrueshmërisë së tyre, forcimin e kapaciteteve prodhuese si dhe daljen e tyre në treg.
Katër skemat e financimit përfshijnë :
Fondin e Konkurrueshmërisë – Për vitin 2018 janë parashikuar 28 milionë lekë, për financimin e një Skeme Granti për Ndarje të Kostove në ndihmë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe përpjekjeve të tyre për të konkurruar në tregun e huaj. Prodhimi dhe shërbimi janë edhe fushat kryesore që mbulon fondi, të cilat përfshijnë:
- Sektorin e industrisë së përpunimit aktiv (fasonet)
- Sektorin e industrisë së lehtë
- Sektorin e agropërpunimit
- Sektorin e kërkimit dhe zhvillimit
Fondi i Ekonomive Kreative – Zhvillimi i sektorit të artizanatit dhe zejtarisë në vendin tonë si dhe krijimi i vendeve të reja të punës është edhe qëllimi kryesor i këtij fondi. Qeveria shqiptare ka planifikuar për vitin 2017-2019 një fond prej 30 milionë lekësh, ku për secilin vit buxheti do të jetë 10 milionë lekë. Projektet që përzgjidhen nga sektori i artizanatit që mbështet fondi janë :
- Zhvillimi i produkteve të reja
- Blerja e pajisjeve për nxitjen e prodhimit
- Marketingu i produktit
- Kualifikimi dhe ndërtimi i kapaciteteve menaxheriale të ndërmarrjes aplikuese
Fondi në mbështetje të sipërmarrjeve të reja “Start-Up” – Qëllimi kryesor është mbështetja e sipërmarrjeve të reja “Start-Up” përmes subvencionimit financiar të drejtpërdrejtë për këtë kategori biznesi. Fondi “Start-Up” jep grante deri në 300 mijë lekë, por projekti mbulon vetëm 70% të kostove të angazhuara.
Ndërkohë, 10 milionë lekë është vlera e buxhetit të për këtë fond në vitin 2018. Përmes tij, përfitojnë ndërmarrjet e mikro dhe të vogla të cilat ushtrojnë aktivitetin në këto sektorë:
- Sektorët prodhues dhe të shërbimit;
- Sektorin e industrisë së lehtë;
- Sektorin e turizmit;
- Fushën e kërkimit dhe të zhvillimit;
- Procesin e agropërpunimit;
- Fushën e dizenjimit, modelimit, artizanatit.
Fondi i Inovacionit – Iu vjen në ndihmë në formë granti të drejtpërdrejtë ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për të audituar nevojat e tyre për inovacion dhe teknologji. Një ndërmarrje mund të përfitojë maksimalisht 400 mijë lekë për një projekt, ku pagesa bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në fund përfundim të tij. Për këtë fond mund të aplikojnë kompanitë të cilat të cilat anë selinë brenda territorit të Shqipërisë si dhe prodhon në Shqipëri produkte/shërbime që tregtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve aplikimet për fondet për vitin 2018 do të jenë të hapura deri më datë 1 Nëntor 2018.
Klikoni këtu për më shumë informacion rreth skemës së fondeve dhe mënyrës së aplikimit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.