Ceoure: Stimujt e BQE nuk përbëjnë rrezik për tregjet financiare
Anëtari i bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore Europiane, Benoit Coeure, thotë se institucioni nuk sheh ndonjë provë se stimujt monetarë po dëmtojnë tregjet financiare.
Komentet e tij ka gjasa të ulin pritshmëritë për ndërhyrje nga Banka Qendrore Europiane që të lehtësojë presionet në tregun e titujve të borxhit duke ndryshuar sasinë apo përbërjen e programit të blerjes së aseteve.
Coeure fajësoi rreziqet politike në Europë dhe rregullat strikte financiare për rritjen e kërkesës për borxhin afatshkurtër të Qeverisë gjermane, që kanë çuar poshtë zeros yield-et e kësaj letre me vlerë, që cilësohet si investim i sigurt.
Ai tha se ka pak prova se kjo vjen në mënyrë direkte prej blerjes së borxhit qeveritarë nga Banka Qendrore Europiane apo prej normës negative të interesit për depozitat, që janë dy masat ekstreme të institucionit në Frankfurt për të nxitur inflacionin.
Anëtari tjetër i bordit ekzekutiv, Peter Praet tha se Banka Qendrore Europiane do të vazhdojë të blejë tituj borxhi qeveritar në raport me kontributin e çdo vendi në kapitalin e bankës.
Kostot e huamarrjes së bonove Gjermane dhe Franceze u rritë në 1.9% dhe 1.2% në mënyrë respektive. Coeure tha se reduktimi i blerjeve në 60 miliardë euro për çdo muaj, në takimin e muajit Prill, do të përbëjë lehtësim, por shtoi se kërkesa për titujt afat-shkurtër të borxhit do të qëndrojë e lartë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.