Çerdhe falas për disa kategori – Tiranë, 232 fëmijë në muaj përfitojnë rimbursim të plotë
Gjatë vitit 2017 Bashkia e Tiranës ka dhënë rreth 3387 rimbursime në masën 100% për fëmijët që ndjekin çerdhet publike të kryeqytetit. Sipas të dhënave nga Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, mesatarisht rreth 232 fëmijë në muaj kanë frekuentuar falas cerdhet e kryeqytetit.
Përfitues të këtij bonusi janë disa kategori të veçanta si, nëna vajza që përbëjnë edhe numrin më të lartë të fëmijëve përfitues, familje me ndihmë ekonomike, gra kryefamiljare, prind me aftësi të kufizuara, fëmijë me aftësi të kufizuar, fëmija i tretë që përfiton ulje.
Po ashtu përfitues të rimbursimit në masën 50 për qind janë edhe ato familje që kanë dy fëmijë në çerdhe publike. Pra, për familjet që kanë dy fëmijë që frekuentojnë në të njëjtën kohë çerdhen apo kopshtin, Bashkia rimburson në masën 50% faturën e fëmijës së dytë.
Për vitin 2017, janë bërë 4886 rimbursime faturash për këtë kategori, ku mesatarisht kanë përfituar frekuentimin e çerdhes me faturë të përgjysmuar për 407 fëmijë çdo muaj. Rimbursim në masën 50 për qind kanë përfituar edhe mesatarisht 169 fëmijë në muaj që frekuentojnë kopshtin, ku në total janë paguar 2037 rimbursime gjatë vitit që lamë pas.
Rimbursimi i faturave për këto kategori lehtëson sadopak këto familje që nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar arsimimin e fëmijëve të tyre.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.